Vendosni fjalën kyçe....

Masa e arrestit ndaj Berishës, Ambasadori Britanik: Të fillojë të kuptojë se askush nuk është imun


 

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith në një intervistë për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë” në RTSH përveçse nuk i kurseu vlerësimet për SPAK-un komentoi edhe masën e arrestit për Sali Berishën.

Ai beson se puna më e rëndësishme që po bën prokuroria e Posaçme është se po tregon pavarësi në hetimin e politikanëve nga qeveria dhe opozita dhe se personat e prekur duhet të mësohen se nuk janë imunë nga ndjekja penale.

SPAK-u është një institucion i pavarur. Do të kenë mbështetjen tonë të plotë për të qenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre. Në fakt jam shumë i kënaqur, kur shoh që tani kemi parë ministra në detyrë dhe ish-ministra dhe njerëz nga opozita në hetim. Kjo tregon se në fakt cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri po përmirësohet vërtet. Njerëzit duhet të fillojnë të kuptojnë se askush nuk mund të jetë imun ndaj ndjekjes penale dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme.”- u shpreh ambasadori britanik.

Ambasadori nuk komentoi politikisht për përplasjen mes Berishës dhe SPAK-ut apo aktit të pritshëm nga parlamenti, por një mesazh e dha për të gjithë.

U takon institucioneve të zbatojnë rolet e tyre dhe të sigurohen që ato të zbatohen në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por sigurisht, nëse ka çështje që duhen trajtuar nga individët, atëherë ata individë duhet të respektojnë ligjin dhe të ndjekin procedurat.”-tha ambasadori britanik.

Ambasadori britanik u tregua shumë i kujdesshëm për balancat politike, por dha një mesazh të qartë; problemi duhet zgjidhur me dialog nga vetë partitë politike shqiptare.

Ajo që unë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dëshirojmë të shohim është që ata parlamentarë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të gjejnë një rrugë përpara. I inkurajojmë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjnë për të gjetur rrugën përpara për këto gjëra, pasi nuk u takon ndërkombëtarëve të ndërhyjnë. Kjo bëhet për Shqipërinë dhe është një hap i rëndësishëm në demokracinë e Shqipërisë.”- u shpreh ambasadori, i cili është i kujdesshëm për të mos marrë anë në përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve.

Dhe megjithëse partnerët janë të qartë për të mos ndërhyrë, ata i dinë pasojat se çfarë sjell konflikti politik tek njerëzit dhe tek ekonomia.

Këto çështje parlamentare duhet të zgjidhen shpejt, përndryshe do të shihni qytetarët që shohin se demokracia nuk funksionon. Ne e dimë nga të rinjtë se ky është një nga faktorët pse ata largohen, e dimë nga biznesi që kjo është një nga arsyet që ata mund të mos investojnë siç e përmendët më herët.”- tha ambasadori britanik.

Ambasadori foli edhe për çështjen e emigracionit të paligjshëm duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me qeverinë për zvogëlimin e numrit të emigrantëve të paligjshëm nga 12 mijë vitin e shkuar në më pak se 1 mijë këtë vit, por kohët e arta për shqiptarët me qëndrim të paligjshëm në ishull duket se kanë përfunduar me miratimin këtë javë të asaj që njihet si ligji Ruanda apo skema e Ruandës.

Nuk do të ketë dallime nga kombësia. Çdo kombësi mund të përfundojë duke shkuar në Ruandë, nëse i plotëson kriteret për atë skemë, kështu që mund të përfshihen edhe shqiptarët në të.”- tha ambasadori.

Sipas ligjit që ka kaluar së fundmi vetëm Dhomën e Komuneve, emigrantët e paligjshëm që kërkojnë azil në Britani do të dërgohen në Ruanda, ku do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes. Përpara se të hyjë në fuqi, ligji duhet të marrë miratimin edhe nga Dhoma e Lordëve, që konsiderohet një pengesë për kryeministrin Sunak në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi përpara zgjedhjeve. Në Mbretërinë e Bashkuar. 

Ambasadori foli edhe për çështjen e vizave. Ai nuk pohoi se ka një politikë për lehtësimin e vizave, por hodhi poshtë me Shifra zyrtare pretendimet e refuzimit në masë të aplikimeve për viza të ndryshme nga Shqipëria.

Pjesë nga intervista

Elona Meço: Është i njohur qendrimi juaj për zotin Berisha, por me kërkesën për arrestim e kreut të opozitës, besoni se do të ketë një dobësim të opozitës në të ardhmen dhe a ju intereson kjo? 

Ambasadori britanik King-Smith: Shikoni, u takon institucioneve të zbatojnë rolet e tyre dhe të sigurohen që ato të zbatohen në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por sigurisht nëse ka çështje që duhen trajtuar nga individët, atëherë ata individë duhet të respektojnë ligjin dhe të ndjekin procedurat.

Elona Meço: Por kur flasim për ligjin, ka shumë opinione se SPAK po zbaton standarde të dyfishta, ndryshe për qeverinë dhe ndryshe për opozitën. Për qeverinë ëhstë më i butë, për opozitën më i ashpër. E keni vënë re këtë?

Ambasadori britanik King-Smith: Ne shohim që progresi që ka bërë Prokuroria e Posaçme SPAK është vërtet mbresëlënës. Dua të them, këtë vit, ju keni parë një sërë individësh, jo vetëm nga mazhoranca në qeveri, por edhe nga opozita, pra në të gjithë spektrin politik. Kështu që ne e shohim në të vërtetë që SPAK-u po luan rolin që ka, ashtu si duhet të veprojë.  SPAK-u është një institucion i pavarur.  Është me vend që ne të gjithë t’i inkurajojmë ata të përmbushin mandatin e tyre, por gjithashtu t’i mbështesim ata në këtë drejtim. Do të kenë mbështetjen tonë të plotë për të qenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre. Por në fakt jam shumë i kënaqur kur shoh që tani kemi parë ministra në detyrë dhe ish-ministra, dhe njerëz nga opozita, dhe kjo tregon se në fakt cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri po përmirësohet vërtet. Duhet të bëhet më shumë përparim dhe duhet bërë siç thoni ju, në mënyrë që të gjithë t’i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe mendoj se ajo që është e rëndësishme është që njerëzit të fillojnë të kuptojnë se askush nuk mund të jetë imun ndaj ndjekjes penale dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme.

Elona Meço: Shpresoj të jetë kështu. T’ju bëj një pyetje që jua bëjnë zakonisht , megjithëse nuk pres ndonjë përgjigje të kënaqshme prej jush. Ka një listë tjetër non grata nga Mbretëria e Bashkuar?

Elona Meço: Së fundi, kemi një krizë në parlament, për të cilin ju keni mbajtur një qendrim. Mua më duket se po qendroni më të tërhequr se herë të tjerë për të qenë protagonistë, ju dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Pse ndodh kjo?

Ambasadori britanik King-Smith: Unë u takova me zonjën kryetare të parlamentit të mërkurën, Znj, Lindita Nikolla, në fakt edhe me disa nga ish-kryetarët tuaj të Parlamentit në një aktivitet të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy dhe po diskutonim rëndësinë se si parlamentarët mund të bashkohen për të vepruar realisht në interes të qytetarëve. Dhe apeli ynë për të gjithë deputetët është që realisht të mendojnë se cilat janë interesat e qytetarëve; politika është ndërmjetësimi i kompromiseve. Ne duam të shohim një parlament efektiv, një demokraci efektive që funksionon realisht në interes të qytetarëve shqiptarë.

Elona Meço: Mesa duket nuk ka patur shumë efekt ky takim, pasi në seancën e fundit të Kuvendit, u lanë jashtë deputetë të opozitës që nuk ishin të përjashtuar. Ju duket normale kjo? Apo prania e gardës brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit?

Ambasadori britanik King-Smith: U takon si mazhorancës dhe opozitës që të gjejnë një rrugë përpara, për të siguruar që parlamenti të funksionojë realisht, që komisionet të mund të funksionojnë në mënyrë që mekanizmat e parlamentit të mund të funksionojnë, në mënyrë që parlamenti të sigurojë rolin mbikëqyrës që është shumë i rëndësishëm, edhe në mënyrë që qeveria të mbajë përgjegjësi llogaridhënëse, por edhe që shërbimet t’u ofrohen vërtet qytetarëve. Tani do t’u mbetet parlamentarëve shqiptarë që të gjejnë rrugën përpara për këtë….

Elona Meço: Pra ju nuk do të përfshiheni?

Ambasadori britanik King-Smith: Ajo që unë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dëshirojmë të shohim është që ata parlamentarë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të gjejnë një rrugë përpara. Ne sigurisht që do të ofrojmë mbështetje për ta për sa i përket mënyrës se si Fondacioni Westminster për Demokraci dhe partnerët e tjerë mund të ndihmojnë në sjelljen e ekspertizës. Të mërkurën patëm një nga ish-anëtarët tanë më të dalluar të Parlamentit, deputeti John Grogan me ne në ngjarjen e Fondacionit Westminster dhe ai dha reflektimet e tij sesi Partia Laburiste dhe Partia Konservatore kanë arritur të kapërcejnë ndarjet në periudha shumë të vështira në përvojën parlamentare britanike dhe ne shpresojmë se mënyra të ngjashme për të ecur përpara mund të gjenden edhe këtu.

Elona Meço: Ju flisni për maxhorancën dhe opozitën që duhet të dialogojnë. Nga njëra anë opozita e ka pranuar kërkesën për dialog, por maxhoranca e refuzon. Si e shpjegoni këtë refuzim të maxhorancës dhe a keni ju një apel për të, për kryeministrin?

Ambasadori britanik King-Smith: Unë flas me të gjithë deputetët dhe politikanët në Shqipëri, dhe sigurisht përveç një ose dy përjashtimeve me të cilët nuk flasim, por me të gjitha ato parti politike me të cilat ne flasim, dhe jemi të hapur për dialog, i inkurajojmë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjnë për të gjetur rrugën përpara për këto gjëra, pasi nuk u takon ndërkombëtarëve të ndërhyjnë. Kjo bëhet për Shqipërinë dhe është një hap i rëndësishëm në demokracinë e Shqipërisë. Por këto çështje parlamentare duhet të zgjidhen shpejt, përndryshe do të shihni qytetarët që shohin se demokracia nuk funksionon. Ne e dimë nga të rinjtë se ky është një nga faktorët pse ata largohen, e dimë nga biznesi që kjo është një nga arsyet që ata mund të mos investojnë siç e përmendët më herët.

Elona Meço: Ju thatë që nuk flisni me 1 ose me 2 persona. Zotin Berisha e kuptoj, po tjetri kush është?

Ambasadori britanik King-Smith: Epo ka një numër individësh që janë përjashtuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe/ose nga Shtetet e Bashkuara dhe ne kemi një politikë që padyshim të mos flasim me individë të sanksionuar, por nuk kemi asnjë problem. Ne flasim me çdo parti politike, çdo individ se si mund të luajnë një rol në demokracinë parlamentare.

Elona Meço: A mendoni që do të arrihet së shpejti ky dialog që ju kërkoni, kur, nga njëra anë, në seancën e fundit maxhoranca ndryshoi rregulloren, duke e ashpërsuar atë me përjashtim deri në 2 muaj të deputetëve dhe nga ana tjetër ka prezentuar edhe një nismë për komisionet hetimore, që, i heq pothuajse çdo të drejtë opozitës për të hetuar?

Ambasadori britanik King-Smith: Unë mund t’i ndjej zhgënjimet tuaja për këtë dhe e kuptoj pse është shumë e vështirë për shqiptarët që ta shohin këtë duke ndodhur në Parlament. Në fakt, e shoh që është një gjë shumë zhgënjyese edhe sepse në fakt Shqipëria ka bërë vërtet progres. Nëse shikoni rolin e Shqipërisë ndërkombëtarisht, Shqipëria është tani partneri ynë më i mirë ndërkombëtar, folëm për disa çështje nga ana operacionale. Shqipëria është një partner i shkëlqyer në aspektin operacional, kështu që për ne është vërtet pozitive të shohim Shqipërinë të përparojë në atë mënyrë, por Shqipëria ka ende nevojë të bëjë përparim në demokracinë parlamentare dhe funksionimin e vërtetë të institucioneve dhe luajtjen e rolit të tyre.

Ambasadori britanik King-Smith: Unë kam thënë gjithçka që do të jem në gjendje të them për këtë, në thelb procesi duhet të lejohet të ecë në rrjedhën e tij dhe ne do të vazhdojmë me politikën që kam përcaktuar.

Elona Meço: Pra ka?

Ambasadori britanik King-Smith: Siç e kam thënë edhe më herët, Britania e Madhe do të ndërmarrë veprime të mëtejshme kur ta gjykojë të përshtatshme për ta bërë këtë dhe ne do të ndjekim procedurat dhe u takon ministrave që t’i marrin ato vendime, por nuk mund t’ju jap më asnjë tregues sepse nuk do të ishte e përshtatshme për të paragjykuar ato vendime.

Elona Meço: Dhe një sqarim tjetër. Ka zëra që flasin se ambasadori i emëruar shqiptar në Londër nuk ka marrë ende dakordësinë nga qeveria juaj për të nisur zyrtarisht punën. Si qendron e vërteta?

Ambasadori britanik King-Smith: Padyshim që po ndiqet një proces formal për konfirmimin e ‘Marrëveshjes’ për Ambasadorët. E di që është në proces dhe e kuptoj që vendimi për këtë do t’i komunikohet shumë shpejt Qeverisë së Shqipërisë. Mezi pres të punoj me ambasadorin e ri në fillim të vitit të ri për të krijuar një bashkëpunim pozitiv për vitin e ardhshëm.

Elona Meço: Pra është çështje kohe?

Ambasadori britanik King-Smith: Pra, mendoj se do të dëgjohet shumë shpejt, shpresoj.

Elona Meço: Le ta nisim intervistën tonë me çështjen që ka shqetësuar më shumë Londrën gjatë 2-3 viteve të fundit, emigrimin e paligjshëm. Këtë javë u mbush një vit nga marrëveshja mes kryeministrave Rama dhe Sunak për ndalimin e këtij trafiku dhe rezultatet janë surprizë. Trafiku ka rënë me 90%. Në analizën tuaj, si u reduktua numri nga 10-12 mijë emigrantë gomonesh në më pak se 1 mijë në vit?

Ambasadori britanik King-Smith: Elona ke absolutisht të drejtë që kemi parë një kthesë vërtet të rëndësishme dhe mbresëlënëse për këtë çështje. Nëse shikoni verën e vitit të kaluar, ne përballeshim me numra vërtet të lartë të shqiptarëve që shkonin në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe, mbi 12.000. Këtë vit, siç sapo thatë, 90% rënie, nën 1000. Kjo është vërtet e rëndësishme sepse ne duam, nëse njerëzit shkojnë drejt MBsë, ta bëjnë këtë ligjërisht, jo duke u vendosur kundër ligjit, dhe në fakt ky është rezultat i një sërë gjërash. Së pari, njerëzit e kanë kuptuar se imazhet që kanë parë në Tik-Tok e kështu me radhë ishin false. Këto nuk janë situata të lehta dhe nëse arrin të shkosh, ngecesh, detyrohesh në punë të shfrytëzuar dhe, në fakt, jetët e njerëzve shkatërrohen. Pra, mesazhi im për të rinjtë dhe familjet është: Mos e bëni këtë! Por ne përmendëm edhe Komunikatën e Përbashkët që u nënshkrua, dhe në fakt ishte pikërisht këtë javë, një vit më parë që dy kryeministrat e nënshkruan atë, dhe në fakt në vetëm një vit ne kemi parë rezultate vërtet mbresëlënëse.  Jo vetëm për migracionin e paligjshëm, ne vërtet po bëjmë përparim, shumë bashkëpunime pozitive, por edhe me shtrirje të gjerë në të gjitha fushat. Në arsim, kemi nisur partneritetet me universitetet; në mbrojtje, marrëdhënia jonë e mbrojtjes po rritet si në planin dypalësh ashtu edhe në NATO dhe gjithashtu në tregti, kulturë dhe fusha të tjera. Ndaj, jam i kënaqur që kemi parë arritje të jashtëzakonshme këtë vit në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat realisht e kanë kthyer në drejtim tjetër atë situatë dhe tani Shqipëria është një nga partnerët tanë më të mirë, duke sjellë një ndryshim të vërtetë në botë.

Elona Meço: Do t’ju kërkoj pak më vonë detaje për këtë, por a mund të shpjegoni, çfarë arsyesh japin shqiptarët për të marrë azilin, pasiguri Politike, ekonomike, sociale? Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë, por më shumë se gjysmës së aplikantëve u pranohet kërkesa për azil.

Ambasadori britanik King-Smith: Pra, një nga arsyet e rënies së migracionit të paligjshëm është se të gjithë e dinë që ne kemi marrë masa të forta për ta goditur shfrytëzimin e sistemit të azilit. Njerëzit e dinë që nëse tani po përpiqen të gjejnë një punë duhet ta bëjnë ligjërisht, nuk mund të shkosh dhe të kërkosh azil vetëm për arsye ekonomike. Kjo është pjesë e fokusit të Aktit të Migracionit të Paligjshëm që ka miratuar Parlamenti. Por, sigurisht që ka ndoshta disa shqiptarë që kanë një frikë të vërtetë nga persekutimi dhe ata do të trajtohen si çdo kombësi tjetër dhe sigurisht nëse kanë një frikë të vërtetë nga persekutimi për çfarëdo arsye të jetë, do të trajtohen ashtu si të tjerët, në mënyrë të përshtatshme, sipas sistemit tonë normal ligjor.

Elona Meço: A mund të vështirësohet situata tani në Britaninë e Madhe tani që ka një ashpërsim të gjuhës politike mes partisë në pushtet dhe debateve që po ndodhin brenda Partisë Konservatore, për shkak të asaj që njihet si ligji i Ruandës?

Ambasadori britanik King-Smith: Ne po shikojmë mjetet që të mund të sigurohemi mirë që nëse njerëzit shkojnë drejt MB-së dhe aplikojnë për azil, rastet e tyre të mund të trajtohen në mënyrë efektive, por gjithashtu duhet të sinjalizojmë se nuk mund të vini nëse arsyeja juaj për të ardhur nuk është e vërtetë. Kjo është arsyeja pse skema e Ruandës është një pjesë e rëndësishme e parandalimit.

Elona Meço: I prek shqiptarët ligji i Ruandës?

Ambasadori britanik King-Smith: Kjo do të jetë sipas sistemit ligjor, pasi ajo skemë të jetë plotësisht funksionale. Ju dhe mund të keni parë që qeveria sapo nënshkroi një traktat me Ruandën për të siguruar bazën ligjore për funksionimin e asaj skeme. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi dhe mendojmë se nevojiten zgjidhje krijuese dhe inovative për këto çështje të migracionit që sfidojnë të gjitha vendet tona. Ne jemi të lumtur të punojmë në partneritet me Ruandën, Shqipërinë, Italinë dhe vende të tjera.

Elona Meço: E kuptoj, por dua të sigurohem, nëse ligji i Ruandës hyn në fuqi, shqiptarët që kapen në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe kërkojnë azil, do të dërgohen në Ruanda apo do të kthehen në Shqipëri?

Ambasadori britanik King-Smith: Nuk do të ketë dallime nga kombësia. Çdo kombësi mund të përfundojë duke shkuar në Ruandë nëse i plotëson kriteret për atë skemë, kështu që mund të përfshihen edhe shqiptarët në të.

Elona Meço: Ambasada britanike ka marrë një famë jo shumë të mirë përsa i përket politikës së vizave, për shkak të refuzimit të një numri të madh vizash. Do të vazhdojë kjo politikë e ashpër apo Londra ka menduar ta zbusë atë? Pra, mund të ketë një politikë të lehtësimit të marrjes së vizave, duke kontribuar kështu edhe për reduktimin e emigramit të paligjshëm?

Ambasadori britanik King-Smith: Epo, së pari mund të sqaroj se Ambasada Britanike nuk merret me përpunimin e vizave, çka bëhet në Mbretërinë e Bashkuar, dhe shqiptarët do të trajtohen normalisht sipas proceseve tona të vizave. Dhe mendoj se njerëzit kanë një perceptim të gabuar se është e vështirë të marrësh një vizë. Nëse dëshironi të shkoni dhe udhëtoni në MB, pavarësisht nëse ky udhëtim është për vizita për studim apo punë, aplikoni për vizë sepse tani kemi rrugë në dispozicionin tuaj që vërtet mund të ndihmojnë. Sapo kam mbyllur disa diskutime me qeverinë se si mund ta bëjmë këtë gjë të funksionojë, me të vërtetë shumë pozitivisht. Dhe ju mund ta keni parë që në fakt këtë vit, pjesërisht si rezultat i mënyrës se si shqiptarët tani luajnë një rol vërtet të rëndësishëm, për shembull, në sektorin tonë të ndërtimit, vizat për punëtorët në ndërtim janë tani një profesion prioritar për të cilin njerëzit mund të aplikojnë më lehtë. Kështu që nëse njerëzit e kanë atë interes, unë me të vërtetë i inkurajoj ata të aplikojnë në mënyrë që ata të mund të udhëtojnë ligjërisht.  Kjo do të jetë shumë më efektive.  Gjithashtu, ne kemi bërë dhe diçka tjetër për ta bërë më të lehtë që njerëzit të aplikojnë. Kështu që, tani ka një qendër aplikimi për viza në veri, në Kukës, ku edhe pse kjo gjë nuk realizohet çdo ditë, por në thelb realizohet rregullisht, që njerëzit, nëse preferojnë, mund të aplikojnë në veri, në vend që të vijnë në Tiranë. Pra, ne duam ta bëjmë më të lehtë procedurën për njerëzit që të shkojnë në mënyrë të ligjshme në MB, sepse ashtu si ju me të drejtë po konstatoni, kjo është një pjesë vërtet e rëndësishme e marrëdhënies sonë. Ne duam të ndërtojmë ato marrëdhënie që ndërtohen mes njerëzve me njëri-tjetrin, dhe gjithashtu duam të ndihmojmë në parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe ndikimin që ai ka.

Elona Meço: Jua bëra pyetjen sepse ka një përceptim  që është më e lehtë të marrësh një vizë amerikane sesa një vizë britanike.

Ambasadori britanik King-Smith: Pra, unë në fakt solla shifrat e fundit për ju. Deri në fund të shtatorit të këtij viti, 2023,  janë miratuar 77% e të gjitha vizave me qëllime vizite, 96% e vizave studentore dhe 94% e vizave të punës. Kështu që dua të them, me të vërtetë kjo është për të gjitha kombësitë, dhe më pas për shqiptarët, normat janë mjaft të ngjashme, ndaj duhet të sigurohemi që ne të vazhdojmë ta bëjmë këtë.  Dhe vërtet që kemi pasur një rritje të vizave të lëshuara këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Në fakt është rritje me 35%  krahasuar me vitin e kaluar, kështu që mendoj se ka shumë keqkuptime. Padyshim që do të ketë raste individuale, por ne duam të sigurohemi që njerëzit të mund të udhëtojnë drejt MB-së nëse dëshirojnë.