Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi kallëzime shtesë për inceneratorin e Tiranës: Veliaj kujton se do shpëtojë duke shkuar në SHBA


Deputetja e Partisë së Lirisë Kryemadhi tha sot se do dorëzojë kallëzime shtesë në SPAK për inceneratorin e Tiranës.

Sipas saj, Bashkia e Tiranës ka lejuar një ndërtim pa leje 15 hektarë. Ajo theksoi se sipas provave të dala deri tani provohet në mënyrë të pakundërshtueshmese pa mbështetje qeveritare kontrata për koncesionin e inceneratorit të Tiranës nuk do financohej në vijim asnjë qindarkë nga lekët e shqiptarëve.

Kryemadhi tha se atë që kishte zbuluar e denoncuar Partia e Lirisë mund ta kishte bërë SPAK-u, Komisioni Hetimor Parlamentar e intitucione të tjera në vend.

“15 Hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit; pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit  kanë mbushur një sipërfaqe me 15 Hektarë. Edhe liqene tjanë bërë tokë.” – tha Kryemadhi.

Deputetja e PL-së shtoi se sipas supervizorit të punimeve në inceneratorin e Tiranës, kompania koncesionare nuk ka përmbushur kushtet e kontratës pasi projekti është dorëzuar 1.75 vite me vonesë.

Ajo theksoi gjithashtu se PL-ja nuk do ndalet në denoncimet e kallëzimet e saj për koncesionin e inceneratorit të Tiranës deri në zbardhjen e së vërtetës.

“Përgjegjës për këtë shkelje janë Autoriteti Kontraktues, Bashkia Tiranë dhe Qeveria Shqiptare, pasi me veprimet e tyre për financimin e kontratës së koncesionit nga njëra anë dhe mosveprimet e tyre në marrjen e masave për realizimin e projektit i kanë shkaktuar deri më tani 5 milionë euro dëm ekonomik dhe pritet tí shkaktojnë në vijim mbi 500 milionë euro dëm ekonomik  shtetit shqiptar.” – shtoi Kryemadhi.

Në fund deputetja e PL-së tha gjithashtu se Erion Veliaj ka vënë firmën e tij në koncesionin për inceneratorin e Tiranës dhe nuk do shpëtojë, pavarësisht se  ka shkuar në SHBA.

“E morët vesh se kryetari i bashkisë së Tiranës ka ikur në Amerikë pasi mendon se do ta shpëtojnë Shtetet e Bashkuara. Ka një thënie; firmën dhe atë gjënë tjetër mos e vër vend e pavend. Firma të fundos ose të ngre lart. Erion Veliaj ka firmosur për inceneratorin e Tiranës dhe është një nga njerëzit kryesor dhe ka marrë kompetencat e këshillit bashkiak. Nuk besoj se do të ketë BE apo SHBA që do ta pranojnë një shkelje të tillë kaq flagrante.” – tha ajo.