Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Kryemadhit: Vendimi i Ramës për koncesionin e inceneratorit të Tiranës dëm 8.5 milionë euro


Deputetja e Partisë së Lirisë tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se qeveria i ka falur koncesionarit të inceneratorit të Tiranës 8.5 milionë euro.

Kontrata koncesionare ka parashikuar penalitete për firmën private, në rast se ajo nuk përmbushte detyrimet.

Penalitetet llogariten në bazë ditore dhe sipas Kryemadhit, krahas vjedhjes së përditshme me paratë publike që i jepen koncesionarit, vendimi i Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare për të justifikuar kontratën koncesionare, ka sjell një tjetër dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në masën 8.5 milionë Euro.

Ajo akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se ka detyruar firmat e ndërtimit t’i paguajnë inceneratorit 60 milionë euro për dherat, por ato janë depozituar jashtë inceneratorit

“Pas firmosjes së kontratës së inceneratorit të Tiranës, Bashkia Tiranë ndërmori veprime për të detyruar të gjithë ndërtuesit në Tiranë, që dherat e prodhuara nga ndërtimi, të ishin të detyruar t’i çonin në inceneratorin e Tiranës, kundrejt pagesës. Kjo gjë u denoncua dhe nga kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, në komisionin hetimor parlamentar.”

Hetimet e kryera për inceneratorin e Tiranës, nxjerrin në pah, se si, inceneratori i Tiranës ka përfituar 60 milionë Euro nga firmat e ndërtimit për depozitim dherash, ndërkohë që dherat janë hedhur jashtë Landfillit, jashtë lejes së ndërtimit.

Sipas Kryemadhit kjo përfshin dy fakte:

“Bashkia Tiranë ka ndikuar përmes një skeme kriminale, që bizneset private të lidhura me bashkinë, pasi firmat e ndërtimit janë të lidhura që nga momenti i parë i marrjes së lejes deri në përfundim të punimeve me Bashkinë Tiranë, që të dërgonin para në llogarinë bankare të inceneratorit. Më pas këto para, nëse ndiqen mund të rezultojnë që janë dhënë nga inceneratori për llogari të drejtorëve të bashkisë apo dhe të zyrtarëve të qeverisë.

E dyta, inceneratori i Tiranës, ka marrë pagesat, ndërsa dherat i ka depozituar jashtë lejes së ndërtimit. Roli i koncesionarit ka qenë përfitimi i pagesave dhe jo realisht depozitimi i dherave. – denoncoi Kryemadhi.