Vendosni fjalën kyçe....

Biden paralajmëron Netanyahun: Izraeli po humb mbështetjen globale


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha të martën se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu ta ndryshojë Qeverinë e tij.

Fjalët e Bidenit e vënë në pah një përplasje të re në marrëdhëniet e tij me liderin izraelit.

Këto fjalë, që i bëri para donatorëve gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 2014-ës, janë më të ashprat me të cilat Bideni i është drejtuar Netanyahut për mënyrën se si lideri izraelit po e udhëheq luftën e vendit të vet në Gazë.

Ato janë e kundërta e mbështetjes së palëkundur politike që Bideni ia kishte bërë liderit izraelit në ditët pas sulmit të grupit radikal palestinez, Hamas, në jug të Izraelit më 7 tetor.

“Izraeli mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara për sigurinë e vet, por tani ka më shumë se vetëm Shtetet e Bashkuara. E ka Bashkimin Evropian, e ka Evropën, e ka shumicën e botës…por, ata [Izraeli] janë duke e humbur këtë mbështetje për shkak të bombardimeve të pakujdesshme që po i kryejnë”, tha Biden.

Ushtria izraelite i ka vrarë mbi 18.000 palestinezë në Gazë gjatë bombardimeve hakmarrëse ndaj sulmeve të Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, ndërsa i ka plagosur mbi 50.000 të tjerë dhe e ka shkaktuar një krizë humanitare.

Komentet e Bidenit e hapën një dritare të re në bisedat private të tij me Netanyahun, me të cilin ka pasur mosmarrëveshje të mëdha ndër dekada.

Biden la të kuptohej se lideri izraelit i kishte thënë atij gjatë një bisede private se “ju e bombarduat gjerësisht Gjermaninë, ju e hodhët bombën atomike, shumë civilë vdiqën”.

Biden tha se iu përgjigj kështu: “Po, prandaj u themeluan gjithë këto institucione pas Luftës së Dytë Botërore për t’u kujdesur që një gjë e tillë të mos ndodhte më…mos i bëni gabimet e njëjta që ne i bëmë pas 11 shtatorit. Nuk kishte arsye pse ne të futeshim në luftë në Afganistan”.

Ai i bëri këto komente në prag të vizitës së këshilltarit të vet për siguri kombëtare, Jake Sullivan, në Izrael, ku do të bisedojë me kabinetin izraelit të luftës, shkruan REL.

Netanyahu tha të martën më herët se Izraeli e ka marrë “mbështetjen e plotë” të SHBA-së për pushtimin tokësor të Gazës dhe se Uashingtoni e bllokoi “trysnin ndërkombëtare për ta ndalur luftën”.

Megjithatë, ai shtoi se “ka mospajtime për atë se çfarë do të ndodhë pas [largimit] të Hamasit” dhe se shpreson se do të arrihet marrëveshje edhe për këtë çështje.