Vendosni fjalën kyçe....

Manja: Çdo i paraburgosur dhe i dënuar me të drejtë vote do të votojë, asnjë leje në periudhë zgjedhjesh


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha sot se janë marrë të gjitha masat për të garantuar votimin e të gjithë të dënuarve dhe të paraburgosurve që kanë të drejtë vote.

Manja tha se një nga arsyet që u shty ligji për amnistinë ishte procesi zgjedhor i 14 majit për të shmangur çdo alibi për zgjedhjet.

“Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë të gjitha masat për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit që kemi aktualisht në institucionet tona.

Në datën 4 ka dalë ekstrakti i fundit zgjedhor dhe Drejtoria e Burgjeve ka bërë koordinimin me njësitë e qeverisjes vendore për të parë nëse të paraburgosurit dhe të dënuarit janë në listat e zgjedhësve dhe ne garantojmë që të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit që kanë të drejtën e votës gjenden në lista.

Masa e dytë është garantimi i çdo të paraburgosuri dhe të dënuari të jenë të pajisur me karta identiteti. Një nga arsyet që shtymë ligjin për amnistinë ishte procesi zgjedhor i 14 majit për të shmangur çdo alibi për zgjedhjet. Pas zgjedhjeve kam orientuar Drejtorinë e Burgjeve të përgatisin në draft të ligjit për amnistinë brenda kufizimeve ligjore”, tha Manja.

Ministri tha gjithashtu se nuk do të ketë lejë shpërblyese për asnjë nga të burgosurit, me përjashtim të ndonjë fatkeqësie, vetëm në rast vdekjesh. Dhe ajo jo më shumë se 48 orë dhe sigurisht sipas ligjit jo pa lejen e prokurorit.