Vendosni fjalën kyçe....

Barbados i kërkon 4.9 trilionë dollarë Britanisë për skllevërit


Kryeministrja e Barbados, Mia Mottley i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të paguajë 4.9 trilion dollarë dëmshpërblime për tregtinë transatlantike të skllevërve, në një fjalim në Londër të mërkurën.

Ajo shtoi se bisedimet për mënyrën sesi duhet të shlyhet ky borxh do “jenë të vështira dhe do kërkojnë kohë”.

“Nuk presim që dëmet riparuese të paguhen brenda një viti, dy apo pesë vjetësh, sepse nxjerrja e pasurisë dhe dëmet u bënë ndër shekuj. Por ne kërkojmë që të shihemi dhe të dëgjohemi”, tha ajo.

Një ditë më parë, Mottley u takua me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve, por nuk do zbuloi hollësi në lidhje me qëndrimin e Cameron mbi borxhin e lidhur me skllavërinë.

Mbreti Charles e ka pranuar rolin e Britanisë në tregtinë e skllevërve, duke shprehur publikisht keqardhjen e tij për padrejtësinë dhe vuajtjet që shkaktoi skllavëria, duke mos iu referuar dëmshpërblimeve financiare. Në një fjalim në Ganë në vitin 2018, Charles dënoi skllavërinë, duke e quajtur atë një “mizori të tmerrshme” dhe “padrejtësi të thellë” që nuk mund të harrohet kurrë.

Në Ruandë qershorin e kaluar, Charles tha se është e rëndësishme të “pranojmë të kaluarën tonë”, duke përfshirë skllavërinë, të cilën ai e quajti një “periudhë të dhimbshme”.

Perandoria Britanike tregtoi rreth 3.1 milionë afrikanë, nga të cilët 2.7 milionë u dërguan në kolonitë e Britanisë në Karaibe, Amerikën Veriore dhe Jugore dhe vende të tjera gjatë një periudhe prej 150 vjetësh. Tregtia e skllevërve u shfuqizua nga Parlamenti Britanik në 1807.

Që kur u bë udhëheqësja e kombit ishull në 2018, Mottley ka qenë një zë me ndikim në trashëgiminë e kolonializmit dhe ka kërkuar dëmshpërblime për dëmin e bërë nga perandoria.

Duke cituar shifra nga një raport nga Brattle Group, i cili analizoi koston e tregtisë së skllevërve transatlantik, ajo tha se Mbretëria e Bashkuar u detyrohet 24 trilionë dollarë dëmshpërblime ndaj 14 vendeve të prekura nga skllavëria transatlantike, Spanja u detyrohet 17.1 trilionë dollarë, Franca, 9.2 trilionë dollarë dhe Holanda 4.86 trilionë dollarë.

“Këto shifra, nëse merren jashtë kontekstit, mund të duken të habitshme. Por në lidhje me pasurinë e përgjithshmë të grumbulluar gjatë një periudhe të shtrirë kohore, numrat janë në të vërtetë të vegjël,” tha Mottley.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak kundërshtoi publikisht të kërkojë falje ose të ofrojë dëmshpërblime për tregtinë e skllevërve në prill, duke thënë se “përpjekja për të zhbërë historinë tonë nuk është rruga e duhur përpara dhe nuk është diçka ku do përqendrojmë energjitë tona”.