Vendosni fjalën kyçe....

Spanja dëbon dy punonjës të ambasadës amerikane, dyshohet se paguan agjentët e inteligjencës për informacione sekrete


Spanja ka dëbuar dy punonjës të stafit në ambasadën e Shteteve të Bashkuara, pas akuzave se ata u përpoqën të korruptonin oficerët e inteligjencës spanjolle në këmbim të sekreteve.

Ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles tha të enjten se Spanja kishte paraqitur një ankesë te  autoritetet amerikane, por se incidenti nuk do dëmtonte marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.

“Spanja dhe Shtetet e Bashkuara janë miq, aleatë dhe partnerë”, u tha ajo gazetarëve.

“Kur ka çështje që mund të na prekin, ato diskutohen dhe trajtohen, por në asnjë mënyrë kjo nuk ndikon në marrëdhëniet që kemi.”

Gazeta El Pais raportoi se dy punonjës të paidentifikuar të ambasadës u larguan në mënyrë diskrete me kërkesë të Madridit, pas një hetimi që arriti në përfundimin se ata kishin marrë informacion nga agjentët e inteligjencës spanjolle për një “shumë të majme”.

Robles konfirmoi se një hetim gjyqësor po shqyrtonte “sjelljen e parregullt” në CNI, agjencinë e inteligjencës spanjolle. Përmbajtja e materialit të ndarë me dy punonjësit e ambasadës nuk është e qartë.

El Pais raportoi se një shef i zonës së CNI dhe ndihmësi i tij u arrestuan dy muaj më parë, por një gjykatë urdhëroi që çështja e tyre të mbetej sekret. Gazeta shtoi se ambasadorja e SHBA-së Julissa Reynoso mohoi të kishte dijeni apo të ishte e përfshirë kur u thirr nga autoritetet spanjolle.

“Të paktën dy agjentë amerikanë të stacionuar në Ambasadën e SHBA-së në Madrid, të cilët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në rekrutimin e spiunëve të CNI, janë dëbuar në mënyrë diskrete nga Spanja,” thuhet në shkrimin e El Pais.

Ndërsa përpjekja për të rekrutuar agjentë nga aparati i inteligjencës së një vendi është një formë spiunazhi tipike për marrëdhëniet midis fuqive armiqësore, El Pais e quajti incidentin “një akt haptazi armiqësor” që nuk i përshtatet “miqve apo aleatëve”.

Gazeta spanjolle El Confidencial raportoi për herë të parë për arrestimin e dy punonjësve të CNI-së të hënën. I pyetur për incidentin të hënën, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan nuk pranoi të komentojë.

Ambasada e SHBA-së në Madrid dhe Ministria e Jashtme e Spanjës gjithashtu kanë kundërshtuar të komentojnë mbi këtë çështje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al Jazzeera

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani