Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Kam besim se të gjitha partitë opozitare do t’i bashkohen protestës së 7 Korrikut


Në nisjen e sotme të mbledhjes së Kryesisë, kreu i PD-së Sali Berisha kritikoi përsëri kryeministrin Edi Rama lidhur me fjalët e tij në Samitin e BE-së në Bruksel.

Sipas tij, Rama përdori një “gjuhë ordineri” sepse i kishte porosi nga Beogradi. Më tej ai shtoi se kjo qeveri interesohet më shumë për interesat e Beogradit sesa për qytetarët e Shqipërisë.

Duke u ndalur tek protesta e 7 Korrikut, Berisha tha se shihte një klimë pozitive, me një shoqëri civile të ngritur në këmbë dhe pret që të gjitha partitë opozitare t’i bashkohen.

“Edi Rama përdori një gjuhë ordineri, gjuhë të cilën mund ta përdor Putini apo Lukashenko, ndaj udhëheqësve të BE-së, sepse të gjitha i ka porosi të Beogradit.

Sulmoi Bullgarinë, një vend mik. Nuk e lidh asgjë sulmin e tij ndaj Bullgarisë me shqiptarët. Po gërshetohen të gjithë faktorët, të cilët e bëjnë këtë qeveri kryekëput çnjerëzore, një qeveri që nuk ia ndjen për qytetarët e vet.

Kjo qeveri interesohet më shumë për interesat e Beogradit sesa për qytetarët e Shqipërisë. Ka një klimë shumë pozitive te qytetarët për protestën. Shoqëria civile është e gjitha në këmbë për të dhënë kontributin e saj. Protestën e drejton tani Fronti për Shpëtimin e Shqipërinë. Kam besim se të gjitha partitë opozitare do t’i bashkohen protestës. Të gjithë drejtuesve u bie detyra të zbrisni në çdo grupseksion për të bërë mobilizimin maksimal për këtë protestë. Kjo protestë thirret në një kohë kur vendi ka tashmë opozitën e vërtetë. Nuk ka më as manipulime, dhe as gjë tjetër. Ka vetëm mbrojtje të interesave të qytetarëve.”- tha Berisha.