Vendosni fjalën kyçe....

Kërkoi heqjen e sekuestros së llogarisë bankare me vlerë 108 mijë euro, GJKKO rrëzon kërkesën e Arben Ahmetajt


Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Arben Ahmetajt i cili kishte kërkuar heqjen e sekuestros nga një llogari bankare, me vlerë 108 mijë euro.

Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Erion Bani.

Ish ministri i Financave u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe nga arratia pat deklaruar se po qëndronte tek vajza në Angli. Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.

Arben Ahmetaj vijon të jetë deputet por prej 24 gushtit 2023 administrata e Kuvendit i ka ndërprerë pagesën dhe shërbimet mbështetëse që vijnë për shkak të detyrës si deputet siç është pagesa për telefonin, automjetin, karburantin si dhe shpenzimet e banimit.