Vendosni fjalën kyçe....

Hunter Biden goditet me akuza federale për shmangie të taksave


Departamenti i Drejtësisë bëri të enjten kallëzime të reja penale kundër djalit të presidentit amerikan Joe Biden, Hunter, duke e akuzuar atë për mospagimin e 1.4 milionë dollarëve taksa ndërsa shpenzoi miliona dollarë për një mënyrë jetese luksoze.

Hunter Biden, 53 vjeç, rrezikon 17 vjet burg nëse shpallet fajtor. Departamenti i Drejtësisë tha se hetimi ndaj Biden është në vazhdim.

“I pandehuri u përfshi në një skemë katërvjeçare për të mos paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa federale që detyrohej për vitet tatimore 2016-2019”, thuhej në aktakuzë.

Dokumenti shtoi se në vend të kësaj ai kishte shpenzuar shuma të mëdha “për drogë, të dashura, hotele luksoze dhe prona me qira, makina ekzotike, veshje dhe sende të tjera të natyrës personale”, duke përfshirë mbi 70,000 dollarë për rehabilitimin nga  problemet me drogën.

Avokati i Hunter Biden, Abbe Lowell, tha në deklaratë se klienti i tij kishte shlyer plotësisht taksat e tij, duke akuzuar Këshilltarin Special të SHBA-së, David Weiss, i cili po udhëheq hetimin ndaj Hunter Biden, për refuzim të një marrëveshjeje të mëparshme, raportuan mediat amerikane.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.

Nuk ishte e qartë se kur Hunter Biden do të paraqitej në gjykatë.

Aktakuza thotë se Hunter Biden “fitoi shumë dollarë” ndërsa shërbente në bordet e ‘Burisma’, një konglomerat industrial ukrainas dhe një fond kapitali privat kinez.

Prokurorët thanë se midis 2016 dhe tetorit 2020, ai mori më shumë se 7 milionë dollarë në total të ardhura bruto.

Kjo përfshinte gati 2.3 milionë dollarë nga pozicioni i tij në bordin e drejtorëve të ‘Burisma’ midis viteve 2016 dhe 2019, thuhet në dosje.