Vendosni fjalën kyçe....

Fier, vritet me armë zjarri një 41-vjeçar, shkak dyshohet një sherr mes viktimës dhe autorit


Një 41-vjeçar u ekzekutua sot paradite në qytetin e Fierit. Vrasja u shënua rreth orës 11:00 në lagjen ‘16 prilli’, e njohur si lagjja e “ Baçkallinjve” në Fier.

Në njoftimin e policisë thuhet se policia ka identifikuar autorin dhe po punon për arrestimin e tij.

Gjithashtu njoftohet se Policia e Vlorës ka ngritur postoblloqe në hyrje të autostradës për kapjen e autorit të vrasjes së 41-vjeçarit në lagjen “16 prilli” të Fierit.

Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Fier.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij.

Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës.

Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit, njofton policia.

Ndërkohë janë zbardhur të tjera detaje në lidhje me vrasjen e ndodhur sot në Fier, ku viktimë mbeti një 41-vjeçar. Sipas informacioneve Elton Javori, dhe autor i dyshuar, që është në arrati, Agim Gashi, kanë pasur një sherr dy javë më parë, që sot rezultoi me këtë ngjarje tragjike.

Sipas informacioneve viktima kishte vetëm pak kohë që kishte ardhur nga Gjermania, ku ishte emigrant.

Aktualisht policia është në kërkim të 35-vjeçarit që dyshohet se është arratisur drejt Vlorës.