Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët turren në Kore për të blerë makina


Viti 2023 rezulton të ketë qenë një vit bumi për importin e makinave nga Korea duke përmbysur ndjeshëm tendencën e viteve të fundit.

SCAN ka analizuar të dhënat e INSTAT, ku rezulton se në vitet 2021-2022 importi mujor i mjeteve të transportit nga Korea e Jugut varionte nga 100 deri në maksimumi 400 milion lekë. Totali vjetor i importeve arrinte në 3 miliardë lekë.

Ndërkohë, në vitin 2023, importi mujor i tyre ka kaluar në nivele 500 deri në 1.1 miliardë lekë e këtë vit shifra totale tejkalon nivelin e 6 miliardë lekëve.

Rekordin historik të blerjeve të mjeteve të transportit nga Korea e Jugut këtë vit e mbajnë muajt shtator dhe tetor ku janë importuar përkatësisht mjete me vlerë 1 dhe 1.1 miliardë lekë.

Pavarësisht rritjes së fortë të importeve të mjeteve nga Korea e Jugut, sërish janë vendet europiane ato që kryesojnë listën e vendeve nga ku Shqipëria importon mjetet.

Në vend të parë është Italia, e ndjekur nga Gjermania në vend të dytë e Korea në vend të tretë që ka lënë tashmë pas edhe Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkaku se pse makinat aziatike, e veçanërisht ato nga Korea po gjejnë vend gjithnjë e më shumë në tregun shqiptar kanë si arsye kryesore, çmimin e lirë të tyre.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale Kapitali.al