Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: SPAK bën lojën e Ramës, ledhatoi Beqaj me masë të lehtë sigurie, bëri “kokë turku” vartësit


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana  Vokshi në një deklaratë thotë se SPAK ka ledhatuar me masë sigurie ish-ministrin Ilir Beqaj për çështjen e koncesionit të sterilizimit.

Vokshi përmend kërkesën e GJKKO që masa ndaj Beqajt duhet të ishte më e rëndë pasi ka kryer vepra penale më të rënda se vartësit e tij.

Deputetja e PD-së thotë se Beqaj ledhatohet se është shoku i kryeministrit ndërsa vartësit janë bërë koka turku.

Ajo akuzon SPAK-un se po bën lojën e Ramës që dënon ata që lëshon kryeministri dhe favorizon të korruptuarit e rrethit të tij të ngushtë.

Deklarata e Vokshit:

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit del hapur kundër SPAK për vjedhjen kolosale të ish-ministrit të Shëndetësisë, mikut të Edi Ramës, Ilir Beqja. GJKKO është për një masë më të rëndë sigurie, bazuar në veprat penale të kryera nga ish-Ministri. Gjykata i cilëson shkeljet e ish-ministrit më të rënda se të Klodian Rrjepajt (ish-zv. Ministri i Shëndetësisë) dhe Ilir Rrapajt (biznesmen). Sipas GJKKO ka dyshime, bazuar në prova, se Beqaj përveçse ka shpërdoruar detyrën, ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Për këto ai rrezikon deri në 7 vite burg.

Rrjepaj dhe Rrapaj kanë marrë masën e sigurisë “arrest me burg”, kurse shefi dhe miku i tyre, Beqja, vetëm detyrim paraqitje dhe dorëzim pasaporte. Kjo ‘përplasje’ me GJKKO dhe SPAK dëshmon edhe njëherë atë që Partia Demokrartike ka theksuar me forcë prej shumë muajsh: SPAK është një aksesor politik i Edi Ramës.

Vini re provat: shoku i kryeministrit, Beqja, ledhatohet me masa sigurie kurse vartësit dhe bashkëpunëtorët e tij në krim bëhen “koka turku”. Nuk është hera e parë që SPAK bën lojën e Ramës, duke dënuar ata që ‘lëshon’ Kryeministri dhe favorizuar të korruptuarit e rrethit të tij të ngushtë.

Në këtë rast dëmi është i dyfishtë: jo vetëm financiar, duke u vjedhur shqiptarëve qindra miliona euro, por edhe shëndetësor. Jeta e mijëra qytetarëve është vënë në rrezik nga koncensioni korruptiv i sterilizimeve të Beqajt.

Kjo, siç thekson edhe Gjykata, e shton rrezikshmërinë e ish-ministrit. Mjafton t’i referohemi Raporteve të KLSH për koncesionin e sterilizimit per dëmet e mëdha që ka shkaktuar që nga implementimit. Vetëm prej pagesave të jashtëligjshme të TVSH për sterilizimin, i janë mohuar rreth 9000 ndërhyrje kirurgjikale qytetarëve.

Te Ilir Beqja publiku nuk duhet të shohë vetëm një ministër të korruptuar, por një njeri që për babëzinë e tij dhe të shefit në krye të qeverisë, është gati të sakrifikojë shëndetin dhe jetën e shqiptarëve të pafajshëm.

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë lidhje monstruoze mes pushtetit ekzekutiv të Edi Ramës dhe sistemit të Drejtësisë përfaqësuar nga SPAK.

Të kalosh nga vjedhja e pasurisë publike te dëmtimi i shëndetit dhe jetëve, kërkon një guxim prej monstre.

Kur drejtësia bën sikur nuk sheh, dhe favorizon vjedhësit dhe vrasësit, padrejtësia është e dyfishtë dhe e pafalshme.