Vendosni fjalën kyçe....

Të dyshuar për disa vjedhje në Vaun e Dejës, policia arreston 3 persona, dy prej tyre ushtarë të FA


Policia ka goditet një grup kriminal të dyshuar për disa raste në fushën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, të kryera gjatë vitit të fundit.

Në pranga të policisë ranë 3 pjesëtarë të grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 2 të tjerëve.

Këta shtetas, dyshohen për djegie së 4 automjeteve, 4 vjedhjeve në banesa në Vaun e Dejës dhe 2 vjedhjeve në banesa në Shkodër.

Shtetasit R.G dhe G.D 24-vjeç janë me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorisë në Vaun e Dejës.

Si rezultat i një pune të mirëfilltë hetimore, të kryer intensivisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me qëllim zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale që përfshijnë djegien e disa automjeteve dhe vjedhjen e shumave të parave dhe sendeve personale, në 6 banesa në Vaun e Dejës dhe në Shkodër, të kryera gjatë vitit të fundit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Polinomi”.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit R. G., 24 vjeç dhe G. D., 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi F. J., 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga hetimet rezuloi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:
-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;
-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.