Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Opozita ka prekur fundin, i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia


Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi ndodhitë në Kuvend ku opozita bllokoi diskutimet për projektbuxhetin për vitin 2024.

Rama i cili ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit për aq minuta sa zgjati votimi i shpejtë me kartona nga shumica socialiste shkruan se opozita ka prekur fundin.

Sipas Kryeministrit deputetët e opozitës kanë sjellë fjalorin e rrugës në politikë dhe kanë hedhur politikën në rrugë duke mbjellë sherr e rrëmujë dhe duke korrur humbje.

Rama shigjeton edhe Berishën duke thënë se deputetët e opozitës i ka marrë me vete “halli i një të kërkuari nga drejtësia”.

I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”- shkruan Rama.