Vendosni fjalën kyçe....

‘Koncesioni i sterilizimit’, ish-ministri Ilir Beqaj paraqitet në SPAK për masën ‘detyrim paraqitjeje’



Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK për t’u njohur me masën e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, për çështjen e koncesionit të sterilizimit ku akuzohet për shpërdorim detyre.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani pas kërkesës që është bërë nga vetë prokuroria e Posaçme. Beqaj do të merret edhe në pyetje, ndërsa në SPAK është paraqitur 30 minuta para, në orën 11:30, i shoqëruar nga avokatët e tij, sipas Shqiptarja.com.

Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘mashtrim me pasoja të rënda’, por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që gjyqtari vlerësoi hetimet si të paplota në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje dhe orientoi Prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.