Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja Rama-Meloni/ Shoqëria civile letër të hapur, rendit 3 argumente: Shqipëria të tërhiqet


Një grup organizatash të shoqërisë civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, i kanë drejtuar një letër të hapur qeverisë shqiptare ku i kërkojnë tërheqjen nga marrëveshja e nënshkruar me qeverinë italiane për ngritjen e kampit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës.

Në letrën e hapur renditen tre argumentet për të cilët Shqipëria duhet të tërhiqet nga protokolli Rama-Meloni.

Argumenti i parë ka të bëjë me afatin e qëndrimit të emigrantëve në Shqipëri. Sipas organizatave të shoqërisë civile, nuk ka asnjë parashikim se çfarë pasojash mund të ketë shkelja e afatit të qëndrimit të emigrantëve në territorin shqiptar në raport me kohëzgjatjen e shqyrtimit të kërkesave për azil.

Sipas tyre Italia i shqyrton kërkesat për azil në afate shumë të gjata (6 muaj deri në 1 vit) e kjo mund të çojë në heqje të padrejtë të lirisë së lëvizjes për azilkërkuesit, duke cenuar parimin ndërkombëtar të “moskthimit të azilkërkuesit” me pasoja potencialisht ligjore për shtetin shqiptar.

Argumenti i dytë i renditur ka të bëjë me shkeljen e mundshme nga marrëveshja Rama-Meloni të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian dhe me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore duke rrezikuar që Shqipëria të bëhet bashkëpunëtore në këto shkelje,

Në letër citohet edhe një qëndrim i Komisioneres për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatoviq, sipas së cilës “masat e propozuara në protokoll rrisin në mënyrë të ndejshme rrezikun për të ekspozuar refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

Po kështu ajo tha se bartja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete stimulon shtetet e tjera që të veprojnë njësojë, gjë që rrezikon që të krijojë një efekt domino që të do minonte sistemin evropian dhe botëror për mbrojtje ndërkombëtare”.

Ndërsa argumenti i fundit nënvizon mungesën e transparencës e konsultimit publik të marrëveshjes, si dhe informimin e Presidentit dhe Kuvendit, institucionet vendore të përfshira, ashtu edhe komunitetin lokal dhe publikun e gjerë.

Në fund organizatat që kanë nënshkruar letrën e hapur bëjnë me dije se po studiojnë marrëveshjen Rama-Meloni për të dalë me qendrime të veçanta të natyrës teknike e në përputhje me misionin e tyre, lidhur me parashikimet e tij.

*Letrën e hapur drejtuar qeverisë mund ta lexoni Këtu