Vendosni fjalën kyçe....

PAMJE TË RËNDA/ Shoferi qëllon vdekje aktivistët mjedisorë (Video)


Dy protestues mjedisorë u qëlluan për vdekje nga një automobilist i zemëruar teksa po bllokonin një autostradë në Panama. Personi që qëlloi me armë mund të shihet duke hapur zjarr ndaj demonstruesve në pamjet që qarkullojnë në internet.

Të shtënat ndodhën pasditen e së martës në një shtrirje të autostradës Pan-Amerikane rreth 80 kilometra në perëndim të qytetit të Panamasë, ku aktivistët kishin ngritur barrikada për të protestuar ndaj një kontrate qeveritare minerare që i ishte dhënë së fundmi një firme kanadeze.

Në fotot dhe videot e përplasjes vdekjeprurëse, shihet një shofer i moshuar duke u përballur me demonstruesit përpara se të nxirrte një pistoletë. Pas një debati të shkurtër, burri qëlloi dy të shtëna, ku njëra viktimë u rrëzua menjëherë në tokë, ndërsa tjetra u pa me një plagë në shpatull. Aktivisti i dytë dukej se nuk po reagonte në pamjet shtesë dhe më vonë u konfirmua i vdekur.

 

Viktimat u identifikuan si Abdiel Díaz, një mësues që vdiq në vendngjarje dhe Ivan Rodriguez, i cili ndërroi jetë menjëherë pasi mbërriti në spital.

Mediat vendase e kanë quajtur të dyshuarin si Kenneth Franklin Darlington Salas, një shtetas 77-vjeçar i SHBA-së dhe Panamasë, i cili u tha se kishte një arrestim paraprak për akuzat për armë në vitin 2005. Burri u arrestua nga Policia Kombëtare e Panamasë menjëherë pas të shtënave të së martës.

Protestat e nxehta kanë shpërthyer në gjithë Panamanë në javët e fundit lidhur me një marrëveshje minerare dhënë një dege të ‘First Quantum Minerals’ me bazë në Kanada, e cila është lejuar të vijojë të nxjerrë minerale në minierën më të madhe të bakrit në rajon edhe për 20 vjet të tjera. Aktivistët thonë se miniera ndodhet në një zonë të ndjeshme mjedisore të xhunglës dhe kanë shprehur frikën se kompania do dëmtonte ekosistemin.

“Panamezët po vuajnë nga mungesa e ujit, nga thatësirat, kryesisht në provincat qendrore, kafshët që ngordhin, korrjet e dobëta,” tha aktivistja mjedisore Martita Cornejo për CNN, duke shtuar se “qeveria nuk e vlerësoi kundërshtinë e panamezëve për kontratën minerare.”

Qeveria e Panamasë e ka mbrojtur kontratën e re, me presidentin Laurentino Cortizo që e quajti atë “vendimin e duhur” ndërsa argumentoi se masa do sillte vende pune dhe do prodhonte rreth 375 milionë dollarë të ardhura çdo vit.