Vendosni fjalën kyçe....

Pagesat digjitale janë pak, raporti i Bankës Botërore: Shqipëria më e prapambetura e rajonit


Ndonëse vendi ynë vit pas viti po kthehet në një atraksion turistik, miliona vizitorë të huaj ndër gjithë të tjerat kërkojnë akses në pagesa digjitale, por në Shqipëri nuk janë shumë të përhapura, sidomos në tregtinë me pakicë.

Një raport i fundit i Bankës Botërore evidenton se Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që përdor pagesa digjitale. Në vitin 2021, sipas raportit vetëm 35% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mori ose kreu një pagesë digjitale në krahasim me 29% në vitin 2017, raporton Top Channel.

Banka Botërore vëren se vendet e tjera të rajonit kanë bërë hapa më të shpejtë në këtë drejtim, madje edhe Kosova renditet shumë më mirë. Në vitin 2021, gati 48% e popullsisë mbi 15 vjeç në Kosovë ishte përdorues i pagesave digjitale, ne Bosnjë, 67% e popullsisë, në Maqedoninë e Veriut, 74%, dhe në Serbi 87%.

Ndërsa ekonomitë bëhen më digjitale, pagesat mundësojnë këtë tranzicion. Ato lejojnë që aktivitetet ekonomike dhe financiare të zhvillohen në një normë më të shpejtë, më të përshtatshme dhe më e sigurt. Brenda vendit, pagesat digjitale mbështesin bizneset për të operuar në mënyrë më efikase dhe të sigurt.

Për më tepër, ato ndihmojnë në reduktimin e informalitetit dhe rritjes së transparencë. Nëse pagesat digjitale do të rriteshin me 10 për qind, kjo do të reduktonte informalitetin në ekonomi me 2 për qind.

Banka Botërore sugjeron se përpjekjet për të përmirësuar mjedisin e pagesave kërkojnë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për t’u përshtatur me të direktivat dhe rregulloret përkatëse të Bashkimit Europian, duke forcuar rolet mbikëqyrëse, sistemet e pagesave, duke rritur më tej sigurinë kibernetike, aspektet e njohjes së klientit si dhe zbatimin e sistemeve të pagesave të shpejta të cilat mungojnë në rajonin e Ballkanit.