Vendosni fjalën kyçe....

Gazifikimi, Albgaz dorëzon planin e investimeve në ERE, harmonizohet me projektet prioritare


Kompania publike e gazit Albgaz ka dorëzuar në Entin Rregullator të Energjisë planin 10 vjeçar të investimeve i cili tashmë është në procedurë miratimi.

Në një vendim të zbardhur nga Enti qartësohet se plani ka të përfshira edhe ndryshimet që bëri vendimi i 4 tetorit i Këshillit të Ministrave sa i takon prioriteteve afatshkurtra dhe afatmesme të sektorit.

“Shoqëria “Albgaz” sh.a. deklaron se parimet e ndjekura në hartimin e planeve të investimeve janë në harmoni me strategjinë kombëtare të zhvillimit të sektorit të gazit natyror, të miratuara me VKM-në nr. 87/2018 “Për miratimin e Planit Kombëtar për Sektorin e Gazit (Master Planit të Sektorit të Gazit për Shqipërinë, e ndryshuar me VKM-në nr. 563, datë 04.10.2023, të parashikuara në nenin 6, gërmat “a” dhe “b” të “Rregullores për proçedurat e paraqitjes dhe miratimit të planit të investimeve nga operatorët e Transmetimit dhe Shpërndarjes së gazit natyror” thuhet në vendim.

Por cili është në fakt ndryshimi që bëri qeveria në vendimin e tetorit dhe që janë të ,lidhura ngushtë edhe me investimet e Operatorit të Kombinuar të gazit që në këtë rast është Albgaz?

Konkretisht vendimi dyfishoi presionin maksimal të lejuar sa i takon sistemit të transmetimit të gazit në vendin tonë teksa rishikoi edhe projektet. Kështu në dokumentin e mëparshëm përcaktohej se në terma afatshkurtër parashikohen zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës, dhe nëse është e mundur, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës. Së dyti zhvillimi i sistemit të transmetimit për të furnizuar konsumatorët spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i sistemeve lokale të shpërndarjes së gazit në zonat e Fierit dhe Ballshit.

Tashmë kësaj i është shtuar edhe një tjetër prioritet që në vendimin e qeverisë specifikohet me zhvillimi i pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë.

Në terma afatmesëm dokumenti parashikon zhvillim të sistemit të transmetimit për të furnizuar kryesisht zonat industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre. Po kështu zhvillimi i sistemit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe komercialë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Këtij grupi i është shtuar edhe prioriteti për zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit të lëngshëm natyror.

Plani i investimeve parashikon edhe aspekte të lidhura me TEC Vlorën ku në vendimin e Entit Rregullator të Energjisë zbardhet një korrespondencë mes institucioneve teksa nënvizohet se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) sh.a. nr. 3933/4 prot, datë 11.09.2023, nëpërmjet së cilës ka kërkuar nga shoqëria “Albgaz” sh.a. që për kapacitet e instaluara të TEC Vlora, për një regjim maksimal në 80%, sasia vjetore e nevojshme e gazit do të jetë në rreth 130 mcm në vit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor