Vendosni fjalën kyçe....

Dy tërmete në Venezuelë, të paktën 32 viktima dhe mbi 700 të plagosur



Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 700 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën, bëri të ditur për DW presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodríguez.

Sipas Rodríguez, dhjetëra ndërtesa janë shembur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.

“Dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe ne jemi të angazhuar në detyrën e vështirë të shpëtimit të jetëve që Zoti na lejon të shpëtojmë. Shteti i La Guairas po përballet me një tragjedi të vërtetë dhe është shndërruar në një zonë fatkeqësie”, deklaroi ajo.

Autoritetet thanë se ende nuk kanë një bilanc të plotë të dëmeve në La Guaira, rajon që ndodhet pranë kryeqytetit Caracas dhe që konsiderohet një nga zonat më të prekura.

Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, janë ndër më të fuqishmit që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull. Lëkundjet e forta shkaktuan panik në disa rajone të vendit, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve materiale dhe kërkimet për të mbijetuar.

Bilanci i viktimave dhe të plagosurve pritet të ndryshojë, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të goditura nga fatkeqësia natyrore.