Vendosni fjalën kyçe....

Ngadalësohet shitja globale e makinave elektrike


Shitjet e automjeteve plotësisht elektrike dhe hibride plug-in (PHEV) kanë vijuar të ngadalësohen në gjithë botën, sipas firmës së kërkimit të tregut ‘Rho Motion’, cituar nga Reuters. Shitjet u rritën me vetëm 31% vitin e kaluar, nga 60% rritje në vitin 2022, tregojnë të dhënat.

Shitjet globale të makinave të tilla kaluan shifrën 10 milionë në vitin 2022, me 60% të automjeteve të shitura në Kinë.

“Ritmi i rritjes po ngadalësohet, por kjo është ajo që pritet në tregjet në rritje si ky”, tha menaxheri i të dhënave të ‘Rho Motion’, Charles Lester për median këtë javë.

“Nuk mund të dyfishohet çdo vit,” shtoi ai.

Sipas Lester, shitjet globale të automjeteve elektrike në mbarë botën në vitin 2023 ishin kryesisht në përputhje me rritjen prej 30% që kishte parashikuar ‘Rho Motion’. Për vitin 2024, rritja vlerësohet të jetë midis 25% dhe 30%.

Ndërkohë, në dhjetor shitjet arritën një rekord mujor prej 1.5 milionë njësish, tha kompania. Automjetet elektrike plotësisht elektrike ose me bateri (BEV) përbënin 9.5 milionë nga 13.6 milionë makina elektrike të shitura në mbarë botën në vitin 2023, me PHEV-të që përbëjnë pjesën tjetër.

“Pas viteve të rritjes së përshpejtuar, disa prodhues të automjeteve kanë frikë se shitjet e makinave elektrike në Evropë dhe gjetkë mund të shkojnë drejt ngadalësimit të kërkesës pasi shoferët presin për modele më të mira, më të vogla dhe më të lira që janë dy deri në tre vjet më vonë”, shkroi Reuters.

Statistikat tregojnë se shitjet e BEV u rritën me 50% në SHBA dhe Kanada, dhe u rritën përkatësisht 27% dhe 15% në Evropë dhe Kinë. Lester i tha Reuters se shitjet e këtij viti në Evropë mund të ndikohen nga vendimi i papritur i Gjermanisë për të hequr subvencionet për makinat elektrike.

Një raport i fundit nga firma kërkimore Canalys sugjeroi se rritja në tregun global të makinave elektrike do ngadalësohet në 27.1% këtë vit pasi ulja e subvencioneve shtetërore i bën makinat më pak tërheqëse për blerësit.