Vendosni fjalën kyçe....

Çështja Gërdeci/ Dëshmojnë në GJKKO ish-punonjës e ish-ushtarakë: Në fabrikë kishin rënë zjarre disa here. Çmimi i fishekëve u dha me letër jo zyrtare


Ish-ushtarakë dhe ish-punonjës të fabrikës së demontimit në Gërdec dëshmuan në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.

Sipas Report Tv, Qemal Mema, ish-punonjës i fabrikës, tregoi se puna kishte rreziqe dhe madje ishte larguar pasi dëmtoi këmbën. Sipas tij, fabrika nuk kishte rregullore dhe punëtorët ishin të pasiguruar.

“Çmontoja fishekët, kishte rrezikshmëri në demontim, pasi futeshin në makineri, ku ndahej baruti. E ndërpreva punën se u dëmtova të këmba. Punonim me mjete primitive. Ditën e shpërthimit, po merresha me lidhjen e thasëve të barutit. Kur mbrapa dëgjova një shpërthim. Jam dëmtuar në kokë, në dorë, u shtrova 10 ditë në spitalin ushtarak, pasi isha 3 deri në 7 metra larg nga vatra e shpërthimit, në dysheme kishte shumë barut në formën e një rreth-rrotullimi. Nuk jam trajnuar dhe nuk kam patur rregullore. Nuk kam firmosur kontratë dhe më thane se jam i siguruar, por leket i mërrja ne dorë” tha Qemal Mema, ish-Punonjës i fabrikës

Një tjetër ish-punonjës, Julian Pando, tregoi në gjykatë se procesi i punës ishte i rrezikshëm.

“Përgjegjësi im ishte Veiz Muça. Muri ishte e vetmja makineri që kishim. Në fazën e parë, baruti mblidhej me kova, në fazën e dytë me thasë. Na porositën të kishim kujdes gjatë fazës së parë. Ishte orar dreke, nuk e pashë si ndodhi, pashë flakën e u largova. Ish ushtarakët na porosisnin të kishim kujdes, se ishte e rrezikshme. Nuk kisha bërë trajnim. Ka pasur më herët zjarr, e kemi fikur me fikëse zjarri dhe ujë. Ditën e shpërthimit nuk pashë njeri që të tentonte të fikte zjarrin, atë ditë kishte më shumë barut se ditët e tjera. Kishte karroca dore që transportohej baruti. Zjarret e vogla shkaktoheshin nga përplasja e gëzhojave, ndaj s’duhet të kishte barut në tokë. Flaka ditën e shpërthimit ishte e madhe, nuk menaxhohej me ujë dhe fikëse zjarri. Sasia e predhave ishte më e madhe sesa kapaciteti i punëtorëve. Nuk kisha kontratë pune” tregoi Julian Pando, ish-punëtor në Gërdec

Në gjykatë u pyet edhe Ismet Devolli, inxhinier që kishte punuar në ministrinë e mbrojtjes në vitet 1996-1997. Ai tregoi diskutimet në ministri në fillim të vendimarrjes për Gërdecin.

“Na thërret sekretari i pëegjithshëm në zyrë dhe na tha nxirrni koston e fishekëve. I thashë qe kostot nuk i nxjerrim dot ne. Materiali që kam përgatitur nuk përllogarit kostot e demontimit. Ministria e Mbrojtjes përgatiti një strategji për demontimin dhe u ndërtua bordi i demontimit. Ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim kosotot e shpenzimeve“tregon inxhineri Ismet Devolli.

Financieri Kol Lekgjonaj, tregoi se çmimet e fishekëve i ishin propozuar shtabit të përgjithshëm të ushtrisë me një shkresë jo zyrtare.

“Kam punuar në shtabin e përgjithshëm të FA. Kryetari me mbiemër Hoxha më tha që jam anëtar i grupit të punës dhe do vendosja çmimet për demontimin. Në mbledhjen e fundit na erdhi një shkresë jo zyrtare që përcaktonte disa çmime të papërfillshme në koncept. Unë nuk kam rënë dakort për çmimet dhe nuk kam firmosur asnjë shkresë, sepse nuk kishte firmë, vulë, nuk kishte të dhëna se nga cila ndërmarrje vinte. Unë isha te financa, merrja pjesë kryesisht vetëm për mbledhje, e cila ishte e protokolluar. Konkluzionet i nxirrte vetëm uzina e Poliçanit” tha financieri Kol Lekgjonaj.

Avokatët e Fatmir Mediut e kundërshtuan dëshmitarin duke pretenduar se tri uzinat shtetërore kishin dalë me humbje 244 milionë lekë.

Ish-ushtaraku Petrit Behari, që kishte punuar në Gërdec, tregoi se aty nuk ishte bërë instruktazh për mënyrën e punës dhe se kur nisi punën i thanë se do ishin 5 grupe, por përfunduan me 20 të tilla.

“Nuk kishte rregulla, aty çdo gjë ishte pa rregulla. Gëzhojat i thamë Mihalit (Delijorgjit) janë shumë. Mihali tha, do t’i seleksionojmë, se është fillimi, por aty sasia e barutit u bë çdo ditë më e madhe. Baruti transportohej me karrocë. Kishte raste që karrocat prisheshin, te nesërmen vinin të salduara. Në momentin e shpërthimit, shikova flakë nga hyrja. Sasi e tillë baruti, nuk shuhet me fikëse zjarri, duhet të largohesha,” tha ish punonjësi Petrit Behari

GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total  71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.