Vendosni fjalën kyçe....

Urdhërarreste e bastisje ndërtesash qeveritare, dorëhiqet kryeministri portugez António Costa


Kryeministri portugez António Costa dha dorëheqjen sot pasi qeveria e tij u zhyt në krizë të martën teksa prokurorët lëshuan urdhërarreste dhe bastisën ndërtesat qeveritare në një hetim korrupsioni që ka arritur në rrethin e tij të ngushtë.

Prokurorët publikë thanë se ministri i Infrastrukturës, Joao Galamba, ishte një dyshuar zyrtar, ndërsa hetojnë krimet e mundshme të korrupsionit, keqpërdorimit dhe shitjes së ndikimit midis mbajtësve të funksioneve publike.

Ata thanë se kishin lëshuar një urdhër-arresti për Vítor Escária, shefi i shtabit dhe i besuari i Kostës, dhe kontrolluan zyrën e tij ndërsa kryen gjithsej 43 bastisje.

Njoftimi nxiti menjëherë thirrjet nga opozita e djathtë për dorëheqjen e Kostës, një socialist që ka qenë në pushtet që nga viti 2015.

Prokurorët thanë se keqbërja e mundshme lidhej me disa sipërmarrje biznesi të profilit të lartë, duke përfshirë projektet e litiumit që ishin qendrore si për planet ekonomike afatgjata të Portugalisë, ashtu edhe për furnizimin me lëndë të parë për industrinë e automjeteve elektrike në Evropë.

Ata thanë se gjatë hetimeve, të dyshuarit kishin përmendur “emrin dhe autoritetin” e kryeministrit dhe pretendonin se ai kishte bërë ndërhyrje për “zhbllokimin e procedurave”.

Ndërsa lajmi u shfaq, Costa bëri dy udhëtime për të takuar presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa, një ish-lider i opozitës Social Demokrate, i cili ka fuqinë të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të përgjithshme.

Projekte të tjera nën hetim janë një fabrikë prodhimi hidrogjeni dhe ndërtimi i një qendre të dhënash, të dyja në qytetin e Sines. Prokurorët lëshuan gjithashtu urdhërarreste për kryebashkiakun e Sines dhe dy drejtorët e një kompanie të përfshirë në qendrën e të dhënave.

Rui Rocha, kreu i Nismës Liberale, një parti e vogël opozitare e krahut të djathtë, tha se Portugalia ishte “e zhytur në kalbje” dhe i bëri thirrje presidentit të shpërndajë parlamentin nëse Costa nuk do jepte dorëheqjen.

“Ajo që do ishte normale në një vend ku funksionojnë institucionet, do të ishte që kryeministri të arrinte në përfundimin se nuk është në gjendje të vazhdojë detyrën,” tha ai.

Costa u rizgjodh me një shumicë absolute në vitin 2022. Por qeveria e tij që atëherë është ndjekur nga akuzat për keqmenaxhim dhe korrupsion që kanë çuar në largimin e disa ministrave dhe zyrtarëve të lartë nga detyra.

Një nga rastet më të profilit të lartë ishte një pagesë e parregullt e shkëputjes nga puna ndaj një ish-anëtari të bordit të TAP Air Portugal, një kompani transportuese në pronësi të qeverisë, e cila çoi në largimin e ministrit të Infrastrukturës dhe shefit ekzekutiv të kompanisë, ndër të tjera.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT