Vendosni fjalën kyçe....

SHBA e shqetësuar me dëbimin e afganëve nga Pakistani


Agjencia e Qeverisë amerikane që monitoron liritë fetare në mbarë botën shprehu shqetësim lidhur me trajtimin dhe dëbimin me forcë të refugjatëve afganë dhe të azilkërkuesve nga Pakistani.

Përmes një deklarate më 6 nëntor, Komisioni për Liri Fetare i SHBA-së (USCIRF) tha se është i shqetësuar nga raportimet për rritjen e numrit të arrestimeve, të dhunës dhe frikësimit të komuniteteve të refugjatëve afganë në Pakistan.

Mbi 300.000 afganë veçse janë kthyer në Afganistan nga Pakistani pasi Islamabadi njoftoi më 3 nëntor për riatdhesimin e mbi 1.7 milion afganëve që nuk kanë dokumente qëndrimi.

Që kur afati për largim vullnetar skadoi më 1 nëntor, Islamabadi ka nisur dëbimin me forcë të afganëve.

Shumë afganë, me viza valide dhe me dokumente të lëshuara nga Islamabadi që u mundësojnë qëndrim të ligjshëm në shtet, janë ankuar se po ndalohen në mënyrë arbitrare dhe po kërcënohen që të largohen nga shteti.

“Ne jemi veçmas të shqetësuar që Qeveria pakistaneze mundet që me forcë të kthejë në Afganistan minoritete fetare që kanë ikur nga përndjekja”, tha komisionari i USCIRF-së, David Curry.

“Nën sundimin taliban, të krishterët myslimanët shiitë, sikët nuk mund të praktikojnë në mënyrë të lirë besimin e tyre fetar në Afganistan”, shtoi ai.

Që kur talibanët u rikthyen në pushtet dy vjet më parë, qeveria e linjës së ashpër ka aplikuar ligjin islamik të Sheriatit.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe anëtarët e komuniteteve të minoriteteve fetare kanë akuzuar talibanët për diskriminim dhe përndjekje.

Militantët talibanë kanë vrarë, torturuar dhe përndjekur anëtarët e sektit Salafi duke i akuzuar ata se mbështesin grupin Shteti Islamik-Khorasan, që është grup xhihadist rival.

Edhe grupet e tjera fetare, sikurse hazarët shiitë dhe sikët, kanë thënë se talibanët nuk po i lejojnë që të praktikojë lirshëm besimin e tyre fetar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.