Vendosni fjalën kyçe....

Negociatat për lirimin e pengjeve mes Izraelit e Hamasit vijojnë – Reuters


Negociatat e ndërmjetësuara nga Katari midis Izraelit dhe Hamasit, që synojnë uljen e tensioneve në Gaza vijuan të shtunën, tha një burim i informuar mbi negociatat, edhe pse Izraeli ka shtuar sulmin e tij në enklavë.

Bisedimet nuk janë prishur, por po zhvillohen me një ‘ritëm shumë më të ngadaltë’ sesa përpara përshkallëzimit nga e premtja në mbrëmje, tha burimi për Reuters, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së negociatave.

Populli i rrethuar i Gazës nuk kishte asnjë komunikim me botën e jashtme të shtunën, ndërsa avionët izraelitë hodhën bomba të tjera në enklavën palestineze të sunduar nga Hamas-i dhe krerët ushtarakë thanë se një ofensivë tokësore e paralajmëruar prej kohësh po përgatitej.

Katari ka zhvilluar diplomaci prapaskenash për më shumë se tre javë, duke folur me zyrtarë të Hamas-it dhe Izraelit për të nxitur paqen dhe për të siguruar lirimin e më shumë se 200 pengjeve që Hamas-i dhe grupet e tjera të armatosura po mbajnë në Gaza.

Ndërmjetësimi i Katarit javën e kaluar çoi në lirimin e dy pengjeve amerikane, një nënë e bijë dhe dy gra të moshuara izraelite.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën se përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve do vijojnë edhe gjatë ofensivës tokësore në Gaza.

“Ne do shfrytëzojmë dhe shterojmë çdo mundësi për t’i sjellë ata në shtëpi”, tha Netanyahu.

Më herët, krahu i armatosur i Hamas-it tha se kishte qenë afër arritjes së një marrëveshjeje me Izraelin për pengjet. Abu Ubaida, zëdhënës i Brigadave Izz el-Deen al-Qassam, tha gjithashtu në një fjalim video se grupi do lironte të gjithë pengjet e tij vetëm nëse Izraeli lironte të gjithë të burgosurit palestinezë.

Izraeli thotë se 1,400 njerëz, kryesisht civilë, u vranë gjatë bastisjes së Hamas-it më 7 tetor dhe 224 pengje u kapën, shumë me pasaporta të huaja nga 25 vende të ndryshme.

Izraeli ka bombarduar dhe sulmuar Gazën gjatë tre javëve të fundit më intensivisht se kurrë më parë dhe autoritetet shëndetësore palestineze thonë se sulmet e Izraelit kanë vrarë më shumë se 8,000 palestinezë në Gazën e drejtuar nga Hamas-i.

Katari, një fuqi e vogël por e pasur energjetike dhe investimesh që ka synime ambicioze të politikës së jashtme, ka një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi me Hamas-in, që ka një zyrë politike në kryeqytetin e vendit, Doha. Të dërguarit e Katarit kanë ndihmuar më parë në ndërmjetësimin e armëpushimeve midis grupit islamik dhe Izraelit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters