Vendosni fjalën kyçe....

“E bëre kunatën investitore strategjike”- Debate mes Shehajt e Xhaçkës


Deputeti Agron Shehaj dhe ministrja Olta Xhaçka janë përplasur sot në Parlament, lidhur me shpalljen e kompanisë së të afërmve të saj si investitor strategjik.

“Deklarata e Ramës, se raporti copy-paste ishte justifikim nga ai. Raporti i DASH-it ishte ndër vlerësimet më negative për Shqipërinë.

Qeveria kampione e korrupsionit, prej bëmave te saj. Rama i dha familjes së Xhaçkës statusin investitor strategjik. Xhaçka ishte me borxhe, u kthye në investitore strategjike.

Si investitori strategjik, në letra figuron kunata e Xhaçkës. Tenderat pa garë, çdo gjë vendoset me lidhje politike. Para se Xhaçka të hynte në politikë, s’kishte punuar një ditë.”– deklaroi Shehaj.

Pas këtyre fjalëve, ministrja Xhaçka mori fjalën në foltore dhe iu drejtua Shehajt duke i thënë se ishte fatkeqësi që ai përfaqësonte opozitën.

Ajo theksoi se familja e saj nuk ka përfituar asnjë cm tokë nga shteti.

“Për hir të së vërtetës ju mëshiroj. Juve ju ka humbur teksti në politikë dhe kapeni pas kauzave që iu ka ikur uji fare, ose janë palaçollëqe. Është fatkeqësi e madhe që opozita përfaqësohet nga njerëz si ti.

Njerëz si ti nuk dinë ta bëjnë, nuk kanë nivel dhe nuk diskutojnë. Të vish të flasësh paçavure, për ministren e Jashtme, për familjarët e mi të cilët kanë që në 91 që merren me biznes. Nuk i pasurova unë.

Nuk ka lidhje statuti i investitorit strategjik për dikë që është në pronë të vet dhe që nuk ka përfituar asnjë cm nga shteti. Mos i prekni këto çështje pa nivel, pa kuptuar dhe pa i studiuar ato.”– u përgjigj Xhaçka.