Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Shqipëria doli nga “lista gri” e pastrimit të parave falë presionit të opozitës dhe BE


Deputetja e Partisë Demokratike, Jordia Tabaku deklaron se Shqipëria doli nga “lista gri” e pastrimit të parave falë presionit të opozitës dhe të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, ishte pikërisht presioni dhe denoncimi i vazhdueshëm i opozitës që e detyroi qeverinë shqiptare të tërhiqet nga amnistia fiskale.

Tabaku shton se presioni opozitar duhet të vazhdojë edhe me iniciativa të tjera jo vetëm për ekonominë, jo vetëm për shqiptarët por edhe për procesin e integrimit.

Për muaj e muaj kemi kundërshtuar ligjin korruptiv dhe abuziv të amnistisë fiskale. Sepse Shqipëria duhej patjetër të përfitonte nga vendimet e Task Force. Qeveria shqiptare u fsheh mbas këshillimit publik, mbas 2/3 e Shqiptarëve, për t’i vendosur Shqipërisë një damkë, ashtu siç ja vendosi për pastrimin e parave.

Ligji si ai i pasaportave të arta, i amnistisë fiskale, i legalizimit të kanabis, janë qartësisht vija të kuqe për procesin e integrimit , por janë vija të kuqe edhe për xhepat e Shqiptarëve. Se sot ne jemi në një betejë midis ekonomisë formale dhe asaj informale, ndërmjet luftës korrupsionit dhe bekimit të korrupsionit, dhe ligjet si amnistia fiskale veç se e bekojnë atë.

Denoncimi i vazhdueshëm nga ana e Partisë Demokratike, mbështetja ndërkombëtare për ta denoncuar ketë si aferë, ushtruan një presion që e detyroi qeverinë Shqiptare të tërhiqet nga ky ligj. Unë mendoj që ne mund ta realizojmë këtë edhe me iniciativa të tjera të ardhshme, jo vetëm për ekonominë, jo vetëm për shqiptarët por edhe për procesin e integrimit”, tha Tabaku.