Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e llogarive bankare të Ahmetajt


Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e llogarive bankare të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj, i cili kërkoi heqjen e sekuestros nga një llogari bankare, me vlerë 108 mijë euro që ishte bllokuar në një bankë të nivelit të dytë në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij. 

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimiter Lara, sot më 28.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 18.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.A., ndaj vendimit nr. 364, datë 26.09.2023 (lidhur me sekuestron e pasurisë) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:  Miratimin e vendimit nr. 364 akti datë 26.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”-thuhet në vendim.

Ish-zv.kryeministri është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria e posaçme po tenton të zbulojë vend-ndodhjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj përmes postimeve të bëra prej tij në rrjetet sociale pas arratisjes.

Në një dosje voluminoze të SPAK, për çështjen e incineratorëve, Ahmetaj akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët kundrejt përfitimeve monetare.

Ndërsa më 8 tetor u mor i pandehur për herë të dytë në mungesë për privatizimin e ish-ndërmarrjes shtetërore fabrikës “Buka.sha”.