Vendosni fjalën kyçe....

Shtohen sulmet e Izraelit në Gaza, banorët pa qasje në internet


Banorët e Gazës janë pa qasje në internet dhe në shërbime tjera telefonike, pas rritjes së shkallës së bombardimeve izraelite në mbrëmjen e së premtes.

Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës, teksa ushtria izraelite ka thënë se është duke e “zgjeruar” operacionin tokësor në këtë enklavë të rrethuar.

Njoftimi i ushtrisë izraelite është sinjal se forcat ushtarake të Izraelit janë edhe më afër pushtimit tokësor në Gazë, të cilat janë zotuar se do ta shkatërrojnë grupin militant Hamas, pas sulmeve që i ka kryer në tokën izraelite tri javë më parë.

Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug.

Shpërthimet e fuqishme në Rripin e Gazës janë parë prej distancës, ka raportuar Associated Press.

Banorët e Gazës veçse janë që disa javë pa furnizime me ushqim, ujë dhe rrymë, por tani kanë mbetur në izolim të plotë.

Ofruesi palestinez i telekomunikimeve në Gazë, Palte, ka thënë se zona është pa asnjë shërbim për shkak të bombardimeve.

Ende nuk dihet nëse ka viktima nga sulmet e reja ajrore, për shkak të izolimit të zonës.

Kryqi i Kuq ka thënë se nuk ka mundur të kontaktojë me ekipet mjekësore dhe banorët nuk mund të thërrasin ambulancën, çka nënkupton se ekipet do të duhet t’i ndjekin shpërthimet, për t’i identifikuar të plagosur nga sulmet.

Grupet tjera ndërkombëtare të ndihmës kanë thënë se kanë arritur të komunikojnë me pak pjesëtarë të stafit që kanë qasje në lidhje satelitore.

Banorët jashtë Gazës janë në panik, pasi kanë mbetur pa informacione për familjarët e tyre brenda.

“Jam frikësuar aq shumë që kjo do të ndodhë”, ka thënë Wafaa Abdul Rahman, drejtore e organizatës feministe me bazë në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor.

Ajo ka thënë se nuk ka informacione që disa orë për familjen e saj në qendër të Gazës.