Vendosni fjalën kyçe....

Studentët e Mjekësisë në javën e katërt të protestës, tubohen para Rektoratit


Protestat e studentëve të Mjekësisë kundër ligjit që i detyron ata që të qëndrojnë në Shqipëri pas diplomimit kanë vijuar edhe ditën e sotme.

Mëngjesin e sotëm pas grumbulimeve dhe thirrjeve pranë Ministrisë së Arsimit, studentët i janë drejtuar edhe Rektorit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, ku këtij të fundit i kanë drejtuar edhe një kërkesë.

Me një kërkesë drejtuar Rektorit Arben Gjata, studentët kërkojnë mbështetjen e tij personale dhe të Universitetit për moszbatimin e ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, mbështetjen e lëvizjes së tyre dhe marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.

Kërkesa e studentëve të Mjekësisë:

I nderuar Z. Rektor,

Siç jeni në dijeni, ne studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme jemi prej tri javësh në bojkot të procesit mësimor të vitit akademik 2023-2024. Lëvizja jonë ka përfshirë protesta, bojkotin dhe tashmë nisjen e ndjekjes ligjore në Gjykatën Kushtetuese me qëllim shfuqizimin e ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e studimit të ciklit të dytë ‘Mjekësi e Përgjithshme’  në institucionet publike të arsmit të lartë”.

Në këtë situatë ne kërkojmë mbështetjen tuaj si titullar i UMT si më poshtë vijon:

1.Deklarimin tuaj publik se Universiteti nuk do të na paraqesë asnjë kontratë në zbatim të ligjit nr 60/2023 deri në përfundim të shqyrtimit të padisë sonë nga GjK.

2.Deklarimin tuaj publik se Universiteti dhe Ju personalisht jeni në krah të studentëve dhe na mbështesni në lëvizjen tonë.

3.Marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.

Nisur nga situata jonë emergjente, keni kohë të na ktheni përgjigje mbi kërkesat e mësipërme deri të premten, më datë 27 tetor 2023.

Në rast të një mosreagimi nga ana Juaj do të jemi të detyruar të intensifikojmë lëvizjen tonë me marrjen e masave përshkallëzuese.

Me respekt,

Përfaqësuesit e studentëve: