Vendosni fjalën kyçe....

Kurti pranon planin e ri për Asociacionin po vë kushtin: Pa u dënuar Serbia s’ka bisedime


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pranuar propozimin e pesë diplomatëve perëndimorë për ‘planin e ri’ të Marrëveshjes Bazë me Serbinë duke theksuar se ai do jetë kornizë për vijimin e diskutimeve. Megjithatë ai ka vënë një kusht për uljen në tryezë e vijimin e bisedimeve me Beogradin.

Kurti ka pohuar se nesë ndaj Serbisë nuk vihen sanksione apo nuk dënohet për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, nuk do ketë dialog, shkruan Koha.

“Nëse nuk ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do ketë dialog.” – ka thënë Kurti në një intervistë për Financial Times.

Kjo e fundit shton duke cituar kreun e qeverisë së Kosovës se Perëndimi duhet t’i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugën e duhur, nëse ‘nuk shtrëngon’ Serbinë.

Gjatë intervistës me Financial Times, Kurti ka akuzuar grupin që kreun sulmin në Banjskë se synimi i tyre ka qenë nisja e luftës për aneksimin e veriut të Kosovës duke vërejtur se pas sulmit të 24 shtatorit ‘gjithçka ka ndryshuar’.

Lidhur me vendimin e NATO-s për të shtuar trupa në Kosovë ai tha se e mirëpret por ka nënvizuar se misioni i tyre duhet të jetë vetëm për siguri e mbrojtjes.

Çfarë thotë ‘plani i ri’ i propozuar nga 5 diplomatët perëndimorë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë

  • Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për ofrim të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
  • Palët do ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.