Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja i druhet krizës së re të çmimit të gazit dimëror – Financial Times


BE mund të zgjasë kufirin urgjent të çmimit të gazit të vendosur dimrin e kaluar për të shmangur një rritje të re çmimi, raportoi të dielën Financial Times, duke cituar diplomatë.

Sipas raportit, pavarësisht rënies së fundit të çmimeve të energjisë dhe niveleve të larta të ruajtjes së gazit, Brukseli është i shqetësuar se furnizimi me gaz mund të jetë ende në rrezik gjatë sezonit të ngrohjes për shkak të konfliktit Izrael-Palestinë.

“Nuk e dimë se çfarë do ndodhë këtë vit. Ne kemi gjendjen në Izrael dhe nuk e dimë se si do ndikojë kjo në importet nga Lindja e Mesme”, tha një diplomat i BE-së për Financial TImes. Shumë analistë paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i konfliktit mund të shkaktojë një rritje të çmimeve të gazit.

Ekziston edhe frika e akteve të mundshme të sabotimit të infrastrukturës së gazit, veçanërisht pas rrjedhjes së fundit në tubacionin Balticconnector.

Tubacioni nënujor i gazit që lidh Finlandën dhe Estoninë u mbyll në fillim të këtij muaji dhe besohet se është dëmtuar qëllimisht. Një burim i tha FT se në dritën e atij incidenti ‘do ishte mirë të kishim një policë sigurimi’ në rast se infrastruktura tjetër pëson një fat të ngjashëm.

Sipas raportit, dhjetë vende anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Austrinë, i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian në një letër këtë fundjavë duke kërkuar zgjatjen e masave emergjente të vendosura gjatë krizës energjetike dimrin e kaluar, kur çmimet e gazit në bllok arritën më shumë se 300 euro për megavat-orë.

Një nga këto masa përfshinte një ‘mekanizëm korrigjues të tregut’, i cili do kufizonte çmimin e tregut të gazit në 180 euro për megavat-orë nëse kontratat e së ardhmes së gazit tregtohen në një nivel më të lartë për tre ditë rresht.