Vendosni fjalën kyçe....

Denoncoi se iu bënë presione në emër të Berishës, ish-presidenti i Partizanit Paro Laçi thirret në SPAK


Ish-presidenti i Partizani Paro Laçi është thirrur nga SPAK për të dhënë dëshminë e tij pas akuzave të bëra në Report Tv se ndaj tij ishte ushtruar presion nga familjarë të ish-kryeministrit Berisha e trukturat e shtetit të asaj kohe.

Ai deklaroi mbrëmjen e sotme se i ishte bërë presion nga ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, nga djali e vajza e Berishës, Shkëlzeni e Argita e nga zyrtarët e lartë të policisë asokohe Kuliçaj e Voci.

“Në emër të Berishës më ka presion dhe ministri i mbrojtjes Imami më ka thënë që duhet të largohem nga klubi. Presionet kanë qenë me mesazh me telefonata në mënyrë direkte. Na kanë larguar disa herë me forcë dhe ne përsëri futeshim. Na thoshte të ikim nga klubi të ikim në rrugë deri në atë pikë që është ndërruar një shef komisariati dhe ka ardhur një njeri i Berishës. Tonin Voci na ka thirrur në komisariat dhe na ka bërë presion të gjithë zinxhirit të ekipit të Partizanit na kanë thënë mos t’u shohim më te fushat. Të gjithë na kanë bë presion, edhe Shkëlzen Berisha. “Me Partizanin është luftuar nga të gjitha anët, kudo që kishte njerëz Berisha. Kanë qenë direkt akuza të paqëna për mua, presione direkt nga Sali Berisha. Edhe Malltezi edhe Shkëlzen Berisha edhe Argitana kanë bë presion duke thënë se janë pronat tona. Përmendnin kudo Sali Berishën në çdo ambient, si nuk paska përgjegjësi sot Berisha. Ka bë një padrejtësi të paparë. Unë bëra të pamundurën por i morën me dhunë të paparë”. – tha Laçi në Report TV.

Ai shtoi më tej se i ishin ofruar 500 mijë euro dhe apartamente për të heshtur e pas kundërshtimit kishin nisur presionet. Laçi tha gjithashtu se do ndërmarrë hapa ligjorë dhe se është në dispozicion të drejtësisë.

“Mua më kanë dhënë oferta për të më mbyllur gojën, pasi refuzova filluan presionet. Më kanë ofruar 500 mijë euro kesh dhe apartamente. Këto oferta më kanë ardhur në emër të familjes së Sali Berishës. Unë kam thënë se nuk mund të shkel mbi mundin. Ndërmjetësit kanë qenë Agron Kulici dhe ish drejtori i policisë së Tiranës. Pas ofertave kanë qenë presioni. Do marr dhe vetë hapa ligjorë, kudo që të jem do ruaj kontaktet me drejtësinë shqiptar. Pres që të më thërrasë SPAK.” – shtoi ish-presidenti i klubit Partizanit

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u ndalua mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit.

Ndalimi i tij u bë pas urdhërarrestit të prokurorëve të SPAK-ut, Arben Kraja e Enkeleia Millonai e të firmosur nga gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka.

Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, akuzë e dorëzuar në SPAK nga ministri i Brendshëm Taulant Balla në vitin 2020.

Malltezit i është vënë sekuestro preventive edhe për 16 pasuri të paluajtshme.

Përveç Malltezit u shoqërua edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi ndërsa për kreun e Rithemelimit, Sali Berisha, prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitjeje si dhe i ka bllokuar pasaportën për ta ndaluar nga një largim i mundshëm jashtë vendit.