Vendosni fjalën kyçe....

Sot festohen Pashkët Ortodokse, Presidenti Begaj: Të mbështesim njëri-tjetrin në të mirë e në të keq


Presidenti Begaj uron besimtarët Ortodoksë: Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj uroi sot besimtarët ortodoksë shqiptarë për Pashkën.

Bashkë me urimin për Pashkë të bekuara e të gëzuara kreu i shtetit përcolli mesazhin e bashkimit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit në nevojë, duke shpërndarë besim dhe optimizëm në shoqërinë shqiptare.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës për Pashkët:

“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithe besimtaret ortodoksë. Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën. Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq. Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen.

Qirinjtë që besimtarët ortodoksë marrin nga flaka e kandilit në kishë dhe e çojnë në shtëpitë e tyre sonte kanë marre me vete shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetesë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet.

Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë. Pashkë të bekuara e të gëzuara për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë kudo po i festojnë”!

Në mesnatë, besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan ringjalljen e Krishtit. Me shprehjen “Krishti u ringjall”, ata festuan atë që njihet si moment i veçantë i besimit, ringjallja e Krishtit tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, një simbolikë për rilindjen e shpresës, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen e çlirimin nga mëkati, përmes forcimit të besimit tek Zoti.