Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja përgatitet për një luftë me dy fronte Kinë-Rusi – Analiza


Një raport i fundit i Kongresit të SHBA-së kërkon një rishikim strategjik të qëndrimit mbrojtës të kërcënimeve të njëkohshme konvencionale dhe bërthamore.

Këtë muaj, Komisioni i Kongresit për Qëndrimin Strategjik të SHBA-së publikoi një raport duke i kërkuar vendit të përgatitet për një konflikt me dy fronte, kundër Kinës dhe Rusisë.

Raporti thotë se strategjia e mbrojtjes dhe qëndrimi strategjik i SHBA-së duhet të ndryshojë për të mbrojtur siç duhet interesat e saj jetike dhe për të përmirësuar stabilitetin strategjik me dy kundërshtarët e armatosur bërthamor, ndërsa thekson se vendime kritike duhet të merren tani për të adresuar kërcënimet bërthamore që priten të shfaqen gjatë viteve 2027-2035.

Raporti vlerësoi gjithashtu se SHBA-ja duhet të trajtojë kërcënimin bërthamor të afërt me një strategji gjithëpërfshirëse dhe rregullime të strukturës së forcës. Megjithëse thotë se bazat e strategjisë së parandalimit të SHBA-së mbeten të shëndosha, nevojiten rregullime të madhësisë dhe përbërjes për aftësitë e saj bërthamore.

Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e aftësive jo-bërthamore për pozicionin strategjik të SHBA, duke përfshirë infrastrukturën e forcuar dhe përpjekjet për zvogëlimin e rrezikut. Ai vëren se aleatët dhe partnerët janë thelbësorë për qasjen e SHBA-së në mjedisin e ri të kërcënimit në zhvillim.

Raporti rekomandon që Kongresi amerikan të financojë zgjerimin e bazës industriale të mbrojtjes së armëve bërthamore të SHBA-së dhe ndërmarrjes së sigurisë bërthamore të Departamentit të Energjisë (DOE)/Administratës Kombëtare të Sigurisë Bërthamore (NNSA). Ai gjithashtu sugjeron që Kongresi duhet të sigurojë qëndrueshmërinë e financimit për industrinë e mbrojtjes për t’iu përgjigjur qasjeve inovative të kontraktimit të Departamentit të Mbrojtjes (DOD).

Rekomandimet e raportit përfshijnë vendosjen e një arkitekture më të fortë hapësinore me elemente sulmuese dhe mbrojtëse, dhënien prioritet të financimit për programet e goditjeve me precizion me rreze të gjatë, zhvillimin e sistemeve të mbrojtjes raketore të vendit dhe transferimin e përgjegjësisë së mbrojtjes raketore tek Departamentet Ushtarake deri në tetor 2024.

Raporti thotë se SHBA-ja duhet të ruajë dhe forcojë rrjetin e saj të aleancave dhe partneriteteve për të penguar agresionin, për të garantuar sigurinë rajonale dhe për të rritur zhvillimin ekonomik përmes qasjes në tregjet ndërkombëtare.

Raporti paralajmëron se tërheqja nga këto marrëdhënie do favorizonte kundërshtarët, do rriste rrezikun e agresionit dhe do zvogëlonte sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Aleatët aziatikë: Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol, Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe kryeministri japonez Fumio Kishida në një shëtitje gjatë Samitit të fundit të Camp David

Ai gjithashtu rekomandon eksplorimin e mundësive të kontrollit të armëve bërthamore dhe kërkimin e teknologjive të mundshme të verifikimit për të mbështetur negociatat e ardhshme në interesin kombëtar të SHBA-së që synojnë të kufizojnë të gjitha llojet e armëve bërthamore.

Po kështu raporti rekomandon eksplorimin e mundësive të kontrollit të armëve bërthamore dhe kërkimit të teknologjisë së fundit të verifikimit për suksesin e negociatave në konkurrencën kombëtare të SHBA-së që synojnë të gjitha llojet e armëve që prodhojnë.

Në një shkrim të janarit 2023 për Institutin Detar të SHBA-së, Daniel Post përshkruan vlerën dhe kufijtë e parandalimit bërthamor. Post thotë se forca shkatërruese e pashembullt e armëve bërthamore mbështet vlerën e tyre parandaluese, duke i bërë ato të dëshirueshme për t’u përvetësuar së bashku me aftësitë ushtarake konvencionale.

Duke pasur parasysh këtë, ai thotë se strategjia bërthamore e SHBA-së duhet të synojë manipulimin e llogaritjeve racionale të kundërshtarëve duke kuptuar sesi aftësitë e saj perceptohen nga tjetri.

Post thotë gjithashtu se armët bërthamore janë të padobishme për të detyruar shtetet e tjera, por janë efektive kur mbahen në rezervë si aftësi mbrojtëse, duke mohuar përfitimet dhe duke u imponuar kosto agresorëve pasi parandalimi ka dështuar, duke vënë në dukje se ato pengojnë sulmet bërthamore dhe veprime të tjera të mëdha strategjike ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Së bashku me parandalimin bërthamor, parandalimi konvencional është më i zbatueshëm për një gamë më të gjerë rrethanash, ka fleksibilitet më të madh se armët bërthamore dhe nuk i nënshtrohet kufizimeve politike të të parës.

Robert Haffa Jr argumenton në një shkrim të vitit 2018 për Strategic Studies Quarterly se SHBA-ja duhet të përforcojë logjikën e parandalimit konvencional si një koncept qendror të politikës së saj të mbrojtjes.

Megjithatë, Haffa thekson se çështja kryesore me parandalimin konvencional është tendenca e saj për të dështuar. Duke pasur parasysh këtë, ai thotë se strategjitë e parandalimit konvencional të epokës së Luftës së Ftohtë janë të pamjaftueshme për konkurrencën e sotme me të cilën përballet SHBA-ja.

Sipas Haffa-s, një qasje moderne për të frenuar kundërshtarët amerikanë duhet të përqendrohet në kërcënimet jobërthamore, të jetë intensive dhe dërrmuese, të përqendrohet  në pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarëve të SHBA-së dhe aleatëve dhe të jetë në gjendje të ndëshkojë, mohojë dhe përdorë teknologjitë e përparuara dhe sistemet e armëve  anembanë globit.

Kina dhe Rusia kanë qasje të shumta për të mohuar parandalimin bërthamor dhe konvencional të SHBA-së, duke drejtuar një spektër midis kërcënimit për përdorimin e armëve bërthamore dhe mjeteve jokonvencionale.

Stoqet bërthamore të Kinës po rriten

Në një shkrim të shtatorit 2022 për Fondacionin Heritage, Patty-Jane Geller thotë se forcat bërthamore në rritje të Kinës mund të rrisin potencialisht rrezikun e përshkallëzimit të paqëllimshëm.

Geller thotë se nëse Kina percepton një ekuilibër të favorshëm të fuqisë bërthamore mbi SHBA-në, ajo mund të bëhet më e tunduar për të përdorur armë bërthamore në një konflikt.

Ajo thotë gjithashtu se nëse SHBA-së i mungojnë aftësitë bërthamore taktike, Kina mund ta perceptojë një përgjigje të SHBA-së ndaj përdorimit të kufizuar bërthamor në Indo-Paqësorin si jo të besueshme.

Geller vë në dukje se zgjerimi i arsenalit bërthamor të Kinës, duke përfshirë blerjen e metodave të shpërndarjes që mund të kërcënojnë tokën amerikane, mund të dobësojë angazhimet e zgjeruara të parandalimit të SHBA-së, duke e bërë atë më pak të gatshme për të mbrojtur aleatët e saj. Kjo gjendje, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të paqëllimshëm për shkak të llogaritjeve të gabuara ose gabimeve, rrit potencialin për një sulm bërthamor kinez, argumenton Geller.

Për sa i përket sfidës së Kinës ndaj parandalimit konvencional të SHBA-së, Andreë Erickson shkruan në librin e vitit 2023 “Modernizimi i parandalimit”: Si Kina detyron dhe shtrëngon e pengon se përbërësi konvencional i raketave të Forcave Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA-RF) është gjithnjë e më i rëndësishëm në parandalimin dhe luftimet e Kinës, duke mbështetur qëllimin për të arritur mbizotërimin e informacionit, komandën e ajrit dhe kontrollin e detit për të penguar një ndërhyrje të SHBA-së dhe aleatëve në Tajvan.

Erickson thotë se doktrina PLA-RF parashikon dhe kërkon t’i përgjigjet në mënyrë efektive tendencave strategjike, operacionale dhe teknike. Ai vë në dukje se tendenca të tilla mund të përfshijnë aftësinë për sulme të shpejta me precizion global, vendosjen e më shumë ngarkese në lëvizshmëri, reagimin e shpejtë, mbijetesën dhe mbrojtjen e forcës dhe zhvillimin e mjeteve ndihmëse për depërtim.

Në rastin e Rusisë, Lydia Wachs vëren në një shkrim të nëntorit 2022 për Stiftung Wissenschaft und Politik se me zvogëlimin e arsenalit rus të armëve me precizion konvencional dhe përshtatjes strategjike të NATO-s, strategjia e Rusisë ka të ngjarë të ndryshojë, me një rritje të mbështetjes në armët taktike bërthamore. Wachs vëren se inferioriteti konvencional i perceptuar i Rusisë në krahasim me aftësitë e SHBA-së për goditje precize ka nxitur rritjen e mbështetjes së Moskës te armët taktike bërthamore.

Ajo thotë se rritja e rolit të armëve bërthamore në strategjinë e parandalimit të Rusisë dhe forcimi i qëndrimit në zonat në kufi me NATO-n mund të dobësojë sigurinë dhe stabilitetin evropian. Wachs thotë se kjo mund të përkeqësojë perceptimin e kërcënimit të Moskës dhe të ndikojë në dinamikën e përshkallëzimit, duke ndikuar në stabilitetin e krizave të mundshme midis NATO-s dhe Rusisë.

Ajo shton se nëse mbështetja e Rusisë në armët bërthamore jostrategjike rritet, oreksi i Moskës për kontrollin e armëve mbi raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme ka të ngjarë të gërryhet më tej.

Për sa i përket parandalimit konvencional, Tim Sweijs dhe të tjerët shkruajnë në një raport të janarit 2022 për Institutin e Studimeve Strategjike të Hagës (HCSS) se Rusia përbën një kërcënim hibrid për NATO-n dhe Evropën përmes përdorimit të proxave, veprimtarive të fshehta, aftësive kibernetike, përmbysjes politike dhe ndikimit ekonomik.

Në lidhje me këtë, Ruben Tavenier vëren në një shkrim të shkurtit 2018 për Institutin për Studime të Paqes dhe Sigurisë JASON se Rusia përdor një kombinim të parandalimit joushtarak (të fshehtë) dhe ushtarak (të hapur) për të destabilizuar kundërshtarët, për të kufizuar kërcënimet e mundshme dhe për të garantuar fitoren në një konflikt të mundshëm.

Tavenier përmend se Rusia i arrin këto qëllime duke penguar, detyruar ose frenuar një kundërshtar duke e destabilizuar atë në mënyrë të fshehtë dhe duke zvogëluar aftësitë e saj ushtarake, politike dhe ekonomike.

Duke pasur parasysh sfidat e afërta me të cilat përballet qëndrimi parandalues ​​i SHBA-së, Doreen Horschig dhe Nicholas Adamopoulos shkruajnë në një shkrim këtë muaj për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) se SHBA-ja duhet të marrë në konsideratë një strategji të Integrimit Konvencional-Bërthamor (CNI) që thekson koherencë më e madhe midis forcave konvencionale dhe bërthamore për të menaxhuar përshkallëzimin në konfliktet rajonale, për të zhvilluar mundësi të integruara për të forcuar parandalimin dhe për t’u mohuar kundërshtarëve çdo përparësi të fituar nga përdorimi bërthamor në një konflikt rajonal.

Një helikopter MH-139A Grey Wolf fluturon mbi bazën e Forcave Ajrore F E Warren, 22 tetor 2021. Grey Wolf do zëvendësojë UH-1N Huey, duke kapërcyer kufijtë aktualë në shpejtësi, rreze, qëndrueshmëri, ngarkesë dhe mbijetesë, për të mbështetur bërthamën e Forcave Ajrore

Horschig dhe Adamopoulos besojnë se CNI mund të përmirësojë elasticitetin e forcave konvencionale në luftën bërthamore duke shpërndarë bazat operacionale, duke përmirësuar aftësinë operacionale në mjedise potencialisht të ndotura dhe duke forcuar sistemet e komandës, kontrollit dhe komunikimit (C3).

Në këtë mënyrë, thonë ata, kundërshtarët do pengohen nga përshkallëzimi i kufizuar bërthamor, duke siguruar kështu që forcat e SHBA-së dhe aleatët të mund të arrijnë objektivat e tyre luftarake.

Një strategji e tillë, thonë Horschig dhe Adamopoulos, mund t’u japë vendimmarrësve më shumë fleksibilitet dhe të zvogëlojë perspektivat për një luftë të kufizuar bërthamore. Megjithatë, ata theksojnë gjithashtu se CNI mjegullon linjat midis forcave konvencionale dhe bërthamore, duke rritur kështu rrezikun e përshkallëzimit bërthamor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Asia Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani