Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli premton pushtim tokësor në Gaza


Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u ka thënë trupave tokësore që të jenë gati për të hyrë në Rripin e Gazës, ndonëse nuk ka treguar se kur mund të nisë pushtimi.

Në një takim me ushtarët izraelitë të këmbësorisë, në kufi me Gazën, Gallant ka thënë të enjten që forcat duhet “të organizohen, të jenë gati” për urdhrin për t’u nisur.

“Kushdo që e sheh Gazën tash prej larg, do ta shohë edhe prej brenda, ju premtoj”.

Izraeli i ka mbledhur dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, pas maskrës së 7 tetorit nga militantët e Hamasit në tokën izraelite.

Si hakmarrje, Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit  i cili e udhëheq Gazën  dhe është zotuar se do ta shkatërrojë grupin.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 3.785 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur nga sulmet izraelite.

Banorët atje mbi 2.1 milionë  kanë mbetur pa furnizime me ushqim, ujë dhe naftë  sipas vendimit izraelit të marrë pak pas sulmeve të Hamasit në Izrael.

Kamionë me ndihma duke pritur në pikën kufitare Rafah.

Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë që Hamasi besohet se i ka marrë edhe 206 pengje në sulmet që i ka kryer në Izrael, dhe dyshohet se i ka dërguar në Gazë, percjell REL.