Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i Kurtit: Sulmet e dhunshme nga strukturat kriminale serbe mund të përsëriten


Kryeministri i Kosovës Kurti, ka paralajmëruar se ekziston rreziku i përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë.

Ai e bëri deklaratën gjatë një mbledhjeje të qeverisë. Sipas tij qëllimi kryesor i tyre është ‘fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës’.

Paralajmërimi i tij  vjen tre javë pas sulmit ndaj   Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë oficeri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit u vranë tre nga agresorët serbë.

Serbia nga ana e saj i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, kreu i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës,

Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës në veçanti ‘që ditëve, javëve dhe muajve në vijim, të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe’.

“Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Ju ftoj të mbështeteni në Policinë e Kosovës dhe t’i raportoni sjelljet e dyshimta të individëve nëpër komunitetet e juaja”, theksoi Kurti.