Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj vizitë në Kanada, pritet nga komuniteti shqiptar


Kryebashkiaku i Tiranës mori pjesë dje në çeljen e ekspozitës “Diplomart”, e realizuar nga artistët shqiptaro-kanadezë, Entela Konomi, Kastriot Dervishi dhe Altin Muciqi, ku dhe ka vlerësuar punën e tyre, duke i konsideruar një vlerë të shtuar për komunitetin shqipfolës në Kanada.

Veliaj u shpreh më tej gjatë fjalës së tij se marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shqipërisë sot janë në ditët më të mira.

Ai theksoi faktin se mes shqiptarëve duhet të ketë vetëm bashkim, sepse kemi një rrënjë.

“Unë nuk besoj se kemi pasur ditë më të mira të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze dhe pavarësisht sportit kombëtar për t’u ankuar, duhet gjithashtu të jemi pak reflektues për të kuptuar se ne shqiptarët sot jetojmë ditët tona më të mira.

Tirana vjet ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, këtë vit është Qyteti Europian i Sportit, dhe me shpresë vitin tjetër kemi aplikuar për të qenë Kryeqyteti i Kulturës, dhe nëse nuk e kuptojmë nga kemi ardhur dhe ku po shkojmë, atëherë sigurisht që të jesh cinik është gjëja më e thjeshtë. Por, unë besoj se gjërat ndryshojnë nga njerëzit që e hedhin atë gurin, që e përzien pak ujin, ndaj për të gjithë ata shqiptarë që e kanë nisur nga zero, që kanë përveshur mëngët dhe në vend që të bëjnë teori, thjesht i janë shtruar punës duke dhënë maksimumin e tyre, keni gjithë respektin, gjithë mirënjohjen edhe gjithë falenderimet e mia.

Të kthehet në modë mes shqiptarëve me shajt njëri-tjetrin, me i gjet cene njëri-tjetrit, është një sport shumë i rrezikshëm. Shpresoj shumë që ky bashkim dhe kjo vëllazëri që kemi këtu, të jetë frymëzim për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne mund të jemi me parti të ndryshme, mund të jemi me politika të ndryshme, mund të jemi me lokacione të ndryshme, sepse jemi në zona të ndryshme gjeografike, por nuk mund të harrojmë që sistemi ynë i vlerave është i njëjtë, emëruesi ynë i përbashkët, kemi një rrënjë shqiptare”, tha Veliaj.

Pas vizitës në Otava, ku pritet të takohet edhe me kryebashkiakun e qytetit, Veliaj do të marrë pjesë në Forumin Urban Botëror në Toronto.