Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Fierit sekuestron mbi 3 mln euro pasuri


Prokuroria e Fierit ka sekuestruar mbi 3 milionë euro pasuri të dyshuara se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Bëhet fjalë për apartamente, dyqane, llogari bankare e makina.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në ligjin 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, sekuestroi pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare të shtetasit të dyshuar L.B., dhe familjarëve të tij, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” në Greqi.

Nga hetimi i gjithanshëm pasuror i prokurorisë në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar, dyshohet se pasuritë e mëposhtme, në zotërim të subjektit të dyshuar L.B. dhe familjarëve të tij, e kanë prejardhjen nga aktiviteti kriminal i vazhdueshëm i shtetasit L.B. Pasuritë e sekuestruara janë:

1. 5 (pesë) pasuri të llojit “njësi shërbimi”, me sipërfaqe 722 m², 486.7 m², 180.5 m², 57 m², 77.31 m² me vendndodhje në lagjen “1-Maji” Fier.

2. Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 63.6 m², me vendndodhje në Fier.

3. 2 (dy) pasuri të llojit apartament me sip.63.4m² dhe 139.6m², si dhe një pasuri e llojit garazh me vendndodhje në “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

4. Pasuri e llojit papafingo, me sipërfaqe totale 221.8m² me vendndodhje në Selitë, Tiranë

5. Pasuria e llojit “njësi shërbimi”, me sip.197 m² me vendndodhje Selitë, Tiranë.

6. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe totale 197.4m², me vendndodhje Selitë, Tiranë.

7. 5 (pesë) pasuri të luajtshme të llojit automjet dhe motomjet të regjistruar pranë Drejtorisë Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor Fier.

8. Pasuri e llojit “njësi tregtare”, lidhur me aktivitetin tregtar “Bar-Kafe”, Fier, të ushtruar nga personi fizik L.B.