Vendosni fjalën kyçe....

Tajvani prezanton nëndetësen e parë të prodhuar në vend me vlerë 1.5 mld dollarë


 

Tajvani e ka prezantuar nëndetësen e parë të prodhuar vetë, teksa e rrit kapacitetin e mbrojtjes kundër ndonjë sulmi eventual kinez.

Presidentja tajvaneze Tsai Ing-wen ka qenë pjesë e ceremonisë së lansimit në qytetin Kaohsiung.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Kina mund të jetë ushtarakisht e gatshme për të nisur një pushtim në vitet në vijim.

Tajvani është ishull që vetëqeveriset, mirëpo Kina e konsideron të sajin dhe zotohet se një ditë do ta rikthejë kontrollin mbi të, qoftë edhe me forcë.

Ka vëzhgues që besojnë se Kina nuk do ta sulmojë këtë ishull shpejt, dhe Pekini ka thënë se synon të arrijë “ribashkim” paqësor me Tajvanin.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, e ka paralajmëruar Tajvanin që të mos e shpallë pavarësinë, pavarësisht ndihmës prej jashtë.

Kina e ka rritur së fundmi presionin mbi ishull, pasi kryen vazhdimisht stërvitje ushtarake afër Ngushticës së Tajvanit.

“Kjo ditë do të mbetet përgjithmonë në histori”, ka thënë Tsai, teksa ka qëndruar para nëndetëses së gravuar me flamurin e Tajvanit.

Ajo ka thënë se ideja e prodhimit të një nëndetëseje më parë, është vlerësuar si diçka e pamundshme “mirëpo ne ia dolëm”.

Nëndetësja në vlerë të 1.5 miliard dollarëve, e cila funksion me naftë dhe rrymë, do të duhet t’iu nënshtrohet një morie testimesh nga marina deri në fund të vitit 2024.

Është emërtuar Haikun, sipas një peshku masiv mistik, që sipas literaturës klasike kineze ka aftësi edhe të fluturojë.

Një nëndetëse e dytë e tillë është në prodhim e sipër.

Tajvani synon që ta ketë një flotë me 10 nëndetëse – duke përfshirë dy anije të prodhuara nga Holanda, dhe ato më pas t’i pajisë me raketa.