Vendosni fjalën kyçe....

Princi Saudit: Po i afrohemi marrëveshjes me Izraelin


Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, tha se Mbretëria po shkon drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu.

Bin Salman kundërshtoi raportet se procesi historik për vendosjen e marrëdhënieve midis dy shteteve ka ngecur për shkak të kundërshtimit izraelit për të bërë lëshime përballë palestinezëve, duke thënë se “negociatat e mira” janë duke vazhduar.

“Ne shpresojmë se do të arrijë një situatë që do të lehtësojë jetën e palestinezëve dhe do ta bëjë Izraelin si një lojtar në Lindjen e Mesme”, tha ai gjatë një interviste për Fox News. “Çdo ditë ne afrohemi më shumë”.

Riadi zyrtar ka këmbëngulur që çdo marrëveshje për të vendosur lidhje me Izraelin të përfshijë një komponent që avancon përpjekjet për krijimin e një shteti palestinez, koncesione që Izraeli deri më tani i ka refuzuar pa masë ndërsa qeveria izraelite e ekstremit të djathtë vazhdon të zgjerojë kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar.

Përveç dosjes palestineze, Arabia Saudite thuhet se po kërkon koncesion shtesë nga Washington-i si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme, duke përfshirë një pakt sigurie me SHBA-në, shitjen e armëve të avancuara dhe ndihmën në zhvillimin e një programi bërthamor civil.

Izraeli dhe Arabia Saudite janë rivalë rajonalë të Iranit dhe bin Salman tha se nëse Teherani arrin të ketë armë bërthamore, “edhe ne duhet ta kemi një të tillë”.

Ligjet parashohin që një bashkëpunim i tillë t’u përmbahet kritereve të mospërhapjes për të lidhur ligjërisht partnerët për përdorimin paqësor bërthamor, duke përfshirë ndalimet e pasurimit dhe ripërpunimit të materialit bërthamor pa pëlqimin e SHBA-së dhe respektimin e masave mbrojtëse të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Izraeli mbetet shteti i vetëm në Lindjen e Mesme i armatosur bërthamor, por në mënyrë të përsëritur ka refuzuar ta konfirmojë faktin publikisht si pjesë e një politike të paqartësisë strategjike.