Vendosni fjalën kyçe....

Operacion antikanabis në malësinë e Shkodrës, asgjësohen mbi 12 mijë bimë


Një operacion antikanabis është zhvilluar në zonën malore të Shkodrës.

Operacioni është kryer nga toka e ajri ndërsa gjatë tij janë asgjësuar sasi të mëdha kanabisi.

Ministri i Brendshëm Balla shkruan se gjatë operacionit antikanabis në shkallë vendi janë asgjësuar deri tani mbi 289 mijë bimë kanabis e janë identifikuar 202 persona nga të cilët 111 janë arrestuar.

“Policia e Shtetit sapo ka përfunduar një operacion tepër të vështirë nga toka dhe ajri në disa zona malore të Shkodrës, për asgjësimin e mijëra rrënjë kanabis dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Deri më tani në shkallë vendi janë asgjësuar 289.357 bimë narkotike canabis sativa (246.357 bimë dhe 41.713 fidanë). Janë identifikuar 202 autorë, nga të cilët 111 të arrestuar, 63 në kërkim, 29 me masë tjetër sigurie. Janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi 114 persona. Përgëzime Policisë së Shtetit”, shkruan Balla.

Njoftimi

“Shkodër/Megaoperacion nga ajri dhe nga toka, për asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në zona të thella malore të qarkut Shkodër. Finalizohet në kushte të vështira terreni dhe në shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën e punonjësve të Policisë, megaoperacioni policor i koduar “Fly”. Asgjësohen në total, nëpërmjet djegies, 12 831 bimë narkotike cannabis sativa.

Megaoperacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA” dhe me FNSH-të Tiranë dhe Fier. Në këtë megaoperacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të DVP Shkodër, të komisariateve në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier. Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.

-Gjatë megaoperacionit, nga ajri, morën pjesë efektivët e repartit “RENEA”dhe grupe hetimore. Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike cannabis sativa.

-Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa. Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara gjatë megaperacionit “Fly”.