Vendosni fjalën kyçe....

Hakerët e dyshuar rusë vjedhin informacionin sekret të ushtrisë e inteligjencës britanike – The Mirror


Informacioni tepër sekret i sigurisë në faqet e ushtrisë dhe inteligjencës britanike është hedhur në internet nga hakerë të lidhur me Rusinë.

Ata lëshuan mijëra faqe të dhënash që mund t’i ndihmonin kriminelët të futen në bazën e nëndetëseve bërthamore HMNB Clyde, laboratorin e armëve kimike në Porton Down dhe një pikë vrojtimi të GCHQ, shkruan The Mirror.

Informacioni në lidhje me burgjet e sigurisë së lartë dhe një vendi ushtarak kyç për mbrojtjen kibernetike u vodhën gjithashtu gjatë bastisjes nga grupi LockBit. Hakerët shënjestruan bazat e të dhënave të Zaun, një firmë që ndërton mbrojtje për faqet e sigurisë maksimale. Informacioni u hodh më pas në rrjetin e errët në internet, i cili mund të aksesohet duke përdorur një softuer special.

Deputeti laburist Kevan Jones, paralajmëroi: “Kjo është potencialisht shumë e dëmshme për sigurinë e disa prej vendeve tona më të ndjeshme. Qeveria duhet të shpjegojë pse sistemet kompjuterike të kësaj firme ishin kaq të cenueshme. Çdo informacion që jep të dhëna kritike për armiqtë e mundshëm është një shqetësim i madh.”

The Mirror shkruan se informacioni është vjedhur muajin e kaluar në një sulm të madh në Zaun me qendër në West Midlands, i cili ofron mbrojtje dhe masa sigurie për vendet me rrezik të lartë dhe ka siguruar barriera sigurie në Lojërat Olimpike të Londrës 2012.

LockBit përshkruhet si banda më e rrezikshme e hakerëve në botë dhe të dyshuarit kryesorë janë Mikhail Matveev në listën e më të kërkuarve të FBI-së pas sulmeve në 1400 objektiva globale. Ato përfshijnë një përpjekje shantazhi prej 66 milionë stërlinash ndaj Postës Mbretërore, e cila kundërshtoi të paguante.

Disa shtetas rusë janë arrestuar në Amerikë dhe Kanada të akuzuar për bastisje kibernetike. LockBit thuhet se ka lidhje financiare me gangsterët rusë.

Në një dokument të zbuluar në lidhje me pajisje specifike të blera për të mbrojtur Porton Down, Wilts, Zaun e përshkruan punën e saj atje si ‘shumë të fshehtë’. Gjithashtu u botua një porosi shitjeje që detajonte mallrat e blera për HMNB Clyde – i njohur më mirë si Faslane, shtëpia e nëndetëseve bërthamore Trident.

Dokumentet e zbuluara përfshijnë gjithashtu një raport të porosisë së shitjes për pajisjet në kompleksin e komunikimit të GCHQ në Bude, Cornwall. GCHQ e përshkruan Bude se luan ‘një rol kritik’ në sigurinë britanike. Rrjedhja përfshin pajisje sigurie në RAF Waddington, Lincs, ku bazohet skuadra e dronëve të sulmit Reaper, dhe Kazerma Cawdor, Regjimenti i 14-të që merret me luftën elektronike.