Vendosni fjalën kyçe....

PD-ja e ndarë në tre pjesë në drejtime të ndryshme, çfarë ka ndodhur së fundmi


Në PD-në ndarë në tre pjesë ka pasur zhvillime të vrullshme së fundmi. Ditë më parë, kreu i saj i zgjedhur më 29 korrik Lulzim Basha, i panjohur nga dy pjesët e tjeta njoftoi thirrjen e Kuvendit Kombëtar, që do mbahet nesër në pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’.

Më herët ditën e sotme, kreu i Rithemelimit Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar që komandon duke bërë me dije se kishin nisur negociatat me deputetët që mbështesin grupin e tretë në PD, aqë njihen si grupi i Gazment Bardhit.

Këta të fundit nuk e njohin Lulzim Bashën si kreun e PD-së, të dalë në votimet e 29 korrikut, po njëkohësisht nuk e pranojnë as Sali Berishën si kreun e PD-së.

Thirrjes së Kuvendit Kombëtar nga ana e Bashës, Bardhi iu përgjigj se një mbledhje e tillë nuk ekzistonte dhe nuk ka asnjë vlerë pasi PD-ja nuk ka ende një kryetar legjitim.

Këta të fundit kërkojnë prej kohësh që të treja grupet e demokratëve të bashkohen, si e vetmja  rrugë për t’u përballur me qeverinë e kryeministrit Rama por kanë vetëm një kusht paraprak.

Tërheqjen e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, njëri i shpallur non grata nga SHBA-ja e Britania ndërsa tjetri i tërhequr nga kreu i PD-së një vit më parë, por që me qëndrimin e tij hije ka penguar bashkimin e dëmokratëve.

Grupi i Bashës nga ana e tij ka bërë përpjekje për një bashkëpunim me grupin e Berishës e të Bardhit, që u përsërit në caktimin e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet e 24 shtatorit për Bashkinë e Kukësit.

Megjithatë kjo gjë u hodh poshtë prerazi nga Sali Berisha, i cili tha se nuk ka asnjë bashkëpunim me Bashën e Alibeajn, të cilët ai i akuzon si vegla të kryeministrit Rama për shkatërrimin e opozitës.

Një qëndrim i tillë u përsërit nga Berisha edhe në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së që komandon ai. Ai tha se kanë nisur negociatat me grupin e Bardhit ndërsa përjashtoi me forcë bashkëpunimin a bisedimet me grupin e Bashës.

“Grupi me unanimitet të plotë pas diskutimeve të secilit, ishte i mendimit që të vazhdojnë negociata me grupin, deputetët e tjerë të Gazment Bardhin, me qëllimin më të mirë, arritjen e një bashkimi, pasi konstatohet se ky vullnet ekziston nga të gjitha palët. Unë e quaj këtë vendim një vendim të drejtë në përputhej me interes atë PD, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Me Bardhin dhe çdo deputet tjetër, veç Alibashës dhe Lul Pengut kjo parti është dhe do jetë e hapur për diskutime. Është një proces që po ecën drejt bashkimit. Sigurisht ka mekanizma, po punohet. Kur ekziston vullneti gjërat realizohen.” – tha Berisha.

Grupi i Bardhit nuk ka mbajtur ende asnjë qëndrim lidhur me propozimin e negociatat e fundit me grupin e Berishës, edhe pse bëjnë thirrje prej kohëshpër bashkimin e demokratëve.

/Hashtag.al