Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se kanosi me vrasje Albin Kurtin, arrestohet një person në Kosovë


Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një person me inicialet N.S, pasi akuzohet se ka kanosur me vrasje Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I arrestuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, ai fillimisht ka bërë një postim në Facebook me përmbajtje inkriminuese si dhe të njëjtën deklaratë e ka përsëritur në një emision televiziv.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar sot të dyshuarin me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’,  të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë”, thuhet në njoftim.