Vendosni fjalën kyçe....

Khan shtrin në gjithë Londrën planin polemizues për zonën me ‘ndotje jashtëzakonisht të ulët’


Një skemë në Londër për të ulur ndotjet e trafikut duke vendosur një tarifë ditore për automjetet më ndotëse, u zgjerua në të gjithë kryeqytetin britanik të martën, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga ata që thonë se masa do përkeqësojë krizën e kostos së jetesës.

Zona Ultra e Ndotjes (ULEZ) u prezantua në vitin 2019 në një pjesë të vogël të Londrës qendrore dhe u zgjerua më tej në vitin 2021. Tani do shtrihet për të mbuluar zonat që janë shtëpia e pesë milionë njerëzve shtesë, shpesh me më pak lidhje të transportit publik.

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan thotë se zgjerimi do zvogëlojë vdekjet nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ajrit dhe do ndihmojë në frenimin e ndryshimeve klimatike.

Por kundërshtarët argumentojnë se tarifa ditore prej 12,50 paundësh (16 dollarë) për mijëra qytetarë që ngasin automjete më të vjetra dhe më ndotëse, është e padrejtë dhe do shkaktojë dëm ekonomik.

Në Evropë, lëvizjet për të përmirësuar efiçencën energjetike të ndërtesave dhe transportit kanë rritur presionin mbi politikanët, me qeverinë polake që ka shkuar deri në padi ndaj Brukselit për politikat e saj klimatike.

Khan i tha BBC-së të martën se futja e zonës së zgjeruar ishte e vështirë, por e nevojshme. Ai ka thënë më parë se ata që jetojnë në zonat më të varfra janë të ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes.

“Zgjerimi i ULEZ-it është pjesë thelbësore e politikave tona për të trajtuar ndotjen e ajrit, për të adresuar emergjencën klimatike, por edhe për t’u siguruar që të trajtojmë çështjen e padrejtësisë sociale”, tha ai.

Khan thotë se nëntë në dhjetë makina në Londër janë tashmë në përputhje me ULEZ, por kundërshtarët e kanë kundërshtuar këtë shifër.

Protestuesit e nxorrën inatin ndaj kamerave të zbatimit të ULEZ, me policinë Metropolitane të Londrës që regjistroi 164 kamera të vjedhura dhe 185 të dëmtuara që nga 1 gushti. Video të supozuara të vandalizmit janë shfaqur gjithashtu në platformat e mediave sociale.

Autoriteti i transportit i Londrës tha se ka rritur sigurinë për kamerat. Ajo planifikon të vendosë gjithsej 2,750 kamera në Londrën e jashtme, nga të cilat 1,900 janë aktualisht në vend.

Zgjerimi ka ndezur një debat në Britani, e cila synon ndotjet neto zero deri në vitin 2050, se si të zbatohen politikat mjedisore pa i larguar votuesit.

ULEZ u fajësua për një humbje të ngushtë në zgjedhjet e brendshme në Londrën e jashtme muajin e kaluar për Partinë Laburiste të opozitës, e cila përndryshe gëzon një epërsi të fortë në sondazhe mbi konservatorët qeverisës përpara zgjedhjeve kombëtare që priten vitin e ardhshëm.

Në një përpjekje për të qetësuar protestat pas asaj disfate, kryebashkiaku laburist Khan njoftoi fonde shtesë për të shtrirë një skemë të heqjes së ULEZ për të gjithë londinezët që zotërojnë një makinë që nuk i përmbush kriteret. Kritikët kanë thënë se skema, duke ofruar një grant deri në 2,000 paund, është e pamjaftueshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani