Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi ndaj Donald Trump do fillojë në mars 2024


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të dalë në gjyq më 4 mars 2024 në një gjykatë federale në Uashington, nën akuzat se u përpoq ta zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale 2020.

Vendimi 28 gushtit i gjykatëses federale, Tanya Chutkan, nënkupton se Trumpi me gjasë do të përballet me gjyq, në të paktën tri raste penale, gjatë garës së ngushtë për nominimin e kandidatit për president të SHBA-se nga radhët e Partisë Republikane.

Data e gjyqit për rastin e katër penal kundër tij nuk është caktuar ende.

Avokatët e Trumpit kishin bërë trysni që data e gjyqit ndaj tij të caktohej për muajin prill të vitit 2026, shumë kohë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024, duke argumentuar se kishin nevojë për kohë për t’i rishikuar 12.8 milionë faqe prova që Qeveria i ka grumbulluar.

Por, Chutkan tha se ata nuk kishin nevojë për aq shumë kohë.

“Data e propozuar nga mbrojtja për prill 2026 është shumë më tepër seç është e nevojshme”, tha ajo.

Gjyqi ndaj Trumpit pritet të fillojë vetëm një ditë para “Super të Martës”, kur më shumë se dhjetëra shtete te SHBA-së do t’i mbajnë garat e tyre për nominimin e kandidatit për president.

Ai pritet të dalë në gjyq në Nju Jork më 25 mars nën akuzat për pagimin e një yllit të pornos për ta bërë atë të heshte. Gjyqi i tretë ndaj tij është caktuar për 20 maj 2024 në Florida, ku akuzohet se i kishte mbajtur jashtëligjshëm dokumentet e klasifikuara pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, si dhe për pengimin e drejtësisë.

Trumpi nuk mori pjesë në seancën dëgjimore të së hënës. Ai e kishte kritikuar gjykatësen Chutkan në të kaluarën, duke thënë, pa pasur prova, se ajo është e njëanshme ndaj tij.

Chutkan e ka paralajmëruar Trumpin të mos postojë më online deklarata nxitëse rreth dëshmitarëve apo personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Trumpi i ka cilësuar të gjitha katër rastet penale kundër tij si përpjekje të nxitura politikisht për të mos e lejuar atë të kthehet në pushtet.

Ai u deklarua i pafajshëm në tri prej katër rasteve penale, dhe pritet të dalë para gjykate në Xhorxhia më 6 shtator për t’u deklaruar për rastin e katërt penal. Edhe ky rast ka të bëjë me përpjekjet e tij për ta zhbërë humbjen e zgjedhjet e vitit 2020.