Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka kërkon të ndalojë me ligj djegien e Kuranit


Qeveria daneze po përgatit një ligj që do e bënte të paligjshme keqtrajtimin publik ose shkatërrimin e sendeve me rëndësi fetare, ka njoftuar ministri i Drejtësisë Peter Hummelgaard. Një seri djegiesh të fundit të Kuranit në Danimarkë kanë acaruar marrëdhëniet midis Kopenhagenit dhe disa vendeve myslimane.

Duke folur me gazetarët të premten, ministri tha se qeveria do propozojë së shpejti legjislacionin që ndalon ‘trajtimin e papërshtatshëm të objekteve me rëndësi thelbësore fetare’. Ai shpjegoi se projektligji do e bënte të dënueshme djegien e Kuranit, Biblës ose Torës në publik.

Hummelgaard tha se një valë e fundit e djegies së Kuranit nënkuptonte se Danimarka ‘shihej gjithnjë e më shumë’ si një vend që ‘lehtëson fyerjen dhe denigrimin e vendeve dhe feve të tjera’ dhe se veprime të tilla vënë në rrezik sigurinë e danezëve, si brenda dhe jashtë vendit.

Sipas ministrit, nëse ligji miratohet, do ketë gjoba ose burgim deri në dy vjet për aktet e djegies publike të teksteve të shenjta apo objekteve të tjera me rëndësi. Megjithatë, ai nuk specifikoi se kur pritet që parlamenti të votojë projektligjin.

Propozimi ka marrë disa kundërshtime nga partitë opozitare daneze, të cilat argumentojnë se ndalimi i djegies së Kuranit do përbënte një shkelje të lirisë së fjalës. Hummelgaard, megjithatë, i është përgjigjur kritikave duke deklaruar se ai ‘thelbësisht beson’ se ka ‘mënyra më të civilizuara për të shprehur pikëpamjet e dikujt sesa duke djegur gjërat’.

Në korrik, ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen la të kuptohet gjithashtu se qeveria po kërkonte një ‘mjet ligjor’ që do u mundësonte autoriteteve të parandalonin djegien e Kuranit përpara ambasadave të vendeve të tjera.

Rasmussen theksoi se ‘akte të tilla thellësisht fyese dhe të pamatura’ nuk përfaqësojnë ‘vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria daneze’.

Megjithatë, ai vuri në dukje se çdo masë e krijuar për të ndalur akte të tilla në të ardhmen duhet të kufizohet megjithatë nga liritë e shprehjes të mbrojtura me Kushtetutë.

Suedia fqinje ka parë gjithashtu një seri episodesh të djegies së Kuranit në javët e fundit. Stokholmi tani po kërkon gjithashtu të nxjerrë jashtë ligjit përdhosjen e teksteve të shenjta pa shkelur të drejtën e tij të mbrojtur me Kushtetutë për lirinë e fjalës.