Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Moskës i zgjat paraburgimin gazetarit amerikan të Wall Street Journal edhe për 3 muaj


Një gjykatë në Moskë zgjati paraburgimin e korrespondentit të Wall Street Journal (WSJ) Evan Gershkovich për tre muaj të tjerë, sipas mediave shtetërore.

“Gjykata miratoi kërkesën e hetuesit të FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse) për të zgjatur paraburgimin e Gershkovich deri më 30 nëntor,” tha gjykata Lefortovo e Moskës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Më tej në raport thuhet se seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak se rasti ka materiale të klasifikuara.

Gershkovich, një shtetas amerikan që punonte si reporter në zyrën e WSJ-së në Moskë, u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë në qytetin e Yekaterinburg në mars me akuza për spiunazh.

Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gershkovich, me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken që tha se ai ishte ‘arrestuar gabimisht’.

Autoritetet ruse, megjithatë, thonë se Gershkovich u kap ‘në flagrancë’ dhe se çështja e tij do të trajtohet sipas ligjit.

Paraburgimi i Gershkovich ishte zgjatur më parë për tre muaj në maj deri më 30 gusht.